Asti
Asti (+98) ka qënë episkop i komunitetit të krishterë të Durrësit dhe është martirizuar në kohën e përndjekjes së tretë nga Perandori Trajan (98-117). Sipas Farlatit, komuniteti i krishterë i Durrësit, në vitin 58 pas Krishtit, ka patur rreth 70 familje të krishtera. Perandori Trajan sapo hipi në fron, përtëriti dekretin për përndjekjen e të krishterëve në të gjithë perandorinë romake. Shën Asti, arrestohet dhe burgoset nga qeveritari i Durrësit Agrikola, i cili u përpoq që të mohonte Krishtin, por Shën Asti nuk pranoi. Qeveritari, i tërbuar nga qëndrimi i Shën Astit përdori torturat, duke e rrahur sidomos me kamzhikë prej nervash kau të pajisura me sfera plumbi, e vari lakuriq mbi një pemë dhe i leu trupin me mjaltë, duke menduar që ishte kohë vere dhe dielli përvëlonte. Një mizeri bletash e grerëzash, të tërhequra nga era e mjaltit, u grumbulluan rreth trupit të shenjtit duke e shpuar me thumbat e tyre e duke i shkaktuar dhimbje të padurueshme, sa që shenjti dha shpirtin dhe mori prej Zotit kurorën e martirit. Nuk dihet me saktësi se ku është bërë martirizimi, i cili padyshim ka qenë në publik. Bashkë me Shën Astin dhanë jetën e tyre, si martirë të Krishtit, dhe shtatë besimtarë të tjerë: Peregrini, Luqiani, Pompei, Iziqi, Papia, Saturnini dhe Gjermanoi, të gjithë nga Italia. Meqë atje ata përndiqeshin, me një anie erdhën në Durrës ditën kur po torturohej Shën Asti dhe duke deklaruar se edhe ata qenë të krishterë, qeveritari dha urdhër që të mbyteshin në det. Lipsanin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Shën Asti është Shenjti mbrojtës i qytetit të Durrësit. Kisha jonë e përkujton dhe e nderon këtë martir më 6 korrik. Himnografi Josif dhe më vonë ish mitropoliti i Durrësit Jakov, hartuan për shenjtin një shërbesë kishtare.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)