AUTARIATËT


AUTARIATËT
✤ Fis i madh ilir, që banonte në luginën e lumit Tara, degë e Drinës. Fqinjë jugorë të tyre ishin ardjejtë, ndërsa në Lindje e Verilindje A. ndesheshin me dardanët e tribalët. Përmenden për herë të parë më 335 p.e.r. kur bënë një sulm kundër faltores së Delfit në Greqi. Me ardjejtë ishin në grindje të përhershme për burimet e kripës minerale që kishin në kufi. Për shkak të fatkeqësive natyrore dhe të epidemive një pjesë e tyre (20.000 veta) u shpërngul më 310 p.e.r. dhe u vendos pranë malit Orbel në Pajoni. Me urdhër të mbretit trakas Lisimakut një repart i A., që merrte pjesë në ushtrinë trakase në luftën kundër Antigonit në Azinë e Vogël, u shfaros tradhtisht më 302 p.e.r.

(N.C.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Autariatët


[cite]