AVOKATIA
✤ Institucion i drejtësisë * që kryente detyrat për mbrojtjen dhe ndihmën juridike në përputhje me ligjet në fuqi. Ligji i parë për organizimin e A. në Shqipëri doli më 1922. Avokatët ishin profesionistë të lirë dhe u shërbenin kryesisht interesave të klasës feudo-borgjeze në fuqi. Pas Çlirimit avokatët vijuan ushtrimin e profesionit. Organizimi i ri i A. u bë me dekretin «Mbi avokatinë», dt.20.XI.1946. Avokatët vepronin si profesionistë të lirë, leja e ushtrimit të profesionit u jepej ose u hiqej nga «Këshilli mbikqyrës», i përbërë prej ministrit të Drejtësisë, Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës.
Më 1950 avokatët u organizuan në «kolektiva» ose «kolegje». Kolegji ishte organizatë shoqërore, bashkim vullnetar, që kishte për detyrë t’u jepte ndihmë juridike shtetasve, institucioneve, ndërmarrjeve e organizatave socialiste dhe të mbronte interesat e ligjshme të tyre në gjykatë, për çështje penale e civile. Drejtimi, organizimi dhe kontrolli e veprimtarisë së kolegjeve iu ngarkua Ministrisë së Drejtësisë. Me qëllim që ky institut t’i përshtatej natyrës së shtetit dhe shoqërisë sonë socialiste dhe t’i shërbente më mirë mbrojtjes së ligjshmërisë socialiste e luftës për parandalimin e veprave penale dhe të shfaqjeve kundërligjore, më 1967 u krijuan zyrat e ndihmës juridike (shih), të cilat zëvendësuan kolegjet e avokatëve.
(G.Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Avokatia