BANJAT
✤ Ndërtesa të posaçme, të ngritura që në periudhën antike, për t’u larë. Në shekujt e parë të erës së re njihen edhe me emrin terma. Në truallin e Shqipërisë ndeshen B. publike qytetare (3 në Butrint, 1 në Durrës), B. të stacioneve rrugore (Ad kuintum-rr. i Elbasanit, Burizanë-rr. i Krujës, Nangë-rr. i Kukësit) dhe B. private (Apoloni). Përbëheshin prej një vargu kthinash të vendosura njëra pas tjetrës dhe të ndërthurura mes tyre. Për ngrohjen e kthinave gazet e krijuara nga djegia në furrë qarkullonin nën dyshemetë e mbajtura pezull prej një sistemi kolonatash, dhe përgjatë faqeve të mureve nëpërmjet gypash. Nga jashtë B. ishin të thjeshta. Kthinat e brendshme kanë pasur mure të pikturuara me afreske ose të veshura me mermer dhe dysheme të mbuluara me mozaik ose mermer. B. publike vazhduan të funksionojnë deri nga shek.V-VI. Pas kësaj kohe u ndaluan nga kisha. Nga periudha e mesjetës së mesme njihet B. në Manastirin e Ballshit. Në periudhën e pushtimit osman banjat njihen me emrin hamame. Kishte hamame private dhe publike (në kalanë e Krujës, shek.XV; në kalanë dhe pazarin e Elbasanit, shek.XVI; i Meçites në Gjirokastër, shek.XVII; në Çorovodë e Lezhë, shek.XVII; në Shkodër, shek.XVIII; në Durrës dhe në qytete të tjera). Skema e funksionimit të tyre ishte e njëjtë me atë të termave.
(A.B.-Va.Sh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Banjat
[cite]