BANKA E SHTETIT SHQIPTAR
✤ (BSHSH). Banka e parë popullore në Shqipëri e krijuar në janar 1945 me vendim të KANÇ si institucion kryesor i sistemit financiar të shtetit socialist. BSHSH është qendër e emetimit dhe e rregullimit të qarkullimit me plan të parasë. Grumbullon mjetet përkohësisht të lira; u jep ndërmarrjeve, kooperativave bujqësore, institucioneve dhe personave të veçantë kredi afatshkurtër e të gjatë; kryen shërbimin e arkës unike të shtetit; mban llogaritë e të ardhurave dhe të shpenzimeve të buxhetit të shtetit; kryen pagesat në para për llogari të buxhetit, të ndërmarrjeve, dhe institucioneve. Ajo ruan fondet shtetërore në valutë; kryen veprimet ekonomike e financiare të shtetit socialist me vendet e tjera dhe me bankat e huaja, për llogari të shtetasve shqiptarë e të huaj, si dhe veprimet juridike për metalet e çmuara. Gjithashtu ushtron kontroll për krijimin dhe përdorimin në përputhje me planin të mjeteve financiare për investimet, fondin e pagave, për veprimet e arkës së buxhetit të shtetit etj.
Krijimi i BSHSH, shndërrimet revolucionare që u kryen menjëherë pas Çlirimit në fushën e monedhës e të kreditit, ishin mjet në duart e shtetit për zhveshjen e borgjezisë nga akumulimet monetare. Banka ka luajtur dhe luan rol me rëndësi për plotësimin e planeve pesëvjeçare të zhvillimit të ekonomisë dhe të kulturës për industrializimin socialist, shndërrimin socialist të bujqësisë, për ndërtimin e plotë të shoqërisë socialiste. Në fushën e veprimtarisë bankare ka dhënë ndihmesë me punën e tij edhe Spiro Bakalli.
(I-F.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Banka E Shtetit Shqiptar
[cite]