Bartolomeu I
(greqisht: Βαρθολομαίος Α΄) Bartolomeu I (1940- ).Patriku Ekumenik Bartolomeu I ka lindur më 29 shkurt 1940 në ishullin Imbros. Më 1961 përfundoi shkollën teologjike të Halkit dhe po atë vit u dorëzua dhjak. Në vitet 1963-1968 kreu studimet pasuniversitare në Institutin e Studimeve Lindore në Romë duke u specializuar për të Drejtën Kanonike. Në vijim mbrojti doktoraturën në Universitetin Gregorian të Romës. Në vitin 1968 u kthye në Kostandinopojë dhe filloi punë si nëndrejtor i shkollës teologjike të Halkit. Në vitin 1974 u fronëzua Mitropolit i Halkidonës. Bartolomeu I zotëron turqishten, latinishten, italishten, anglishten, frëngjishten dhe gjermanishten. Ai ka botuar shumë artikuj dhe studime shkencore. Në vitin 1992 u zgjodh Patrik Ekumenik. Bartolomeu I ka përfaqësuar Patriarkanën Ekumenike në shumë kongrese ndërortodokse dhe ndërkristiane. Nga datat 2 deri më 9 nëntor 1999 Patriku Ekumenik Bartolomeu I erdhi për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kjo ishte vizita e parë e Primatit të Patriakanës Ekumenike në vendin tonë. Ndalesa e parë ishte në kishën katedrale të Ungjillëzimit në Tiranë ku u krye dhoksologjia e mirseardhjes. Patriku Ekumenik u prit me oshëtimat e kambanave dhe lulet e besimtarëve të shumtë që kishin mbushur rrugicën e kishës. E veçanta e kësaj pritje ishte, se që nga dera kryesore dhe deri tek shkallët hyrëse të kishës ishte shtruar një sixhade e bukur. Në fund të shërbesës, të dy Hierarkët e lartë përshëndetën të pranishmit. Kryepiskopi Anastas theksoi arritjet e Kishës sonë ndër vite, ku veçoi kontributin e Patrikut Ekumenik Bartolomeu I, në mbështetjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë, ndërsa Tërëshenjtëria e Tij, e quajti prezencën në Shqipëri si dhuratë të Perëndisë dhe vlerësoi bashkjetesën fetare në vendin tonë. Më 5 nëntor 1999, i shoqëruar nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, Patriku Ekumenik, Bartolomeu vizitoi qytetin e Beratit, ku u prit nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati. Në kishën e Shën Spiridhonit të lagjes Goricë u zhvillua ceremonia zyrtare për nder të patrikut Ekumenik. Ato ditë qenë të mbushura me emocione nga më të ndryshmet, vizita, takime, dreka, darka etj.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Mirë se vini, Ngjallja, tetor 1999, faqe 1,6.
2-Dionis Papa, Berati dhe Krishtërimi, Jonalda, Berat 2001, faqe 90-91.