Benedikti
Benedikti (480-547) ka lindur në vitin 480 në Nursi prej prindërve të pasur dhe besimtarë. Studimet e larta i kreu në Romë, por në moshën njëzetvjeçare braktisi gjithçka dhe filloi të ushtrohet në një zonë malore. Më pas qëndroi për tre vjet në skarpatet e Subiaco, ku bëri një jetë të rreptë asketike. Aty qethet murg dhe ndihmohet prej ava Romanit. Benedikti themeloi dymbëdhjetë qinovia me nga dymbëdhjetë vëllezër. Në vitin 529 shkoi në Monte Cassino ku themeloi manastirin e famshëm të urdhrit benediktin. Benedikti fjeti më 547. Kisha e shpalli shenjt dhe kujtimi i tij kremtohet më 14 mars. Sot ka shumë murgj romanokatolikë që quhen benediktë. Jeta e Benediktit u bë e njohur nga Grigori i Madh në vëllimin e dytë të librit Dialogues, që u shkrua në vitin 547, pra 50 vjet pas vdekjes së tij. Shkrimet: 1) Regula Benedicti e përbërë nga 73 kapituj dhe flet për rregullat dhe çështjet e ushtrimit të monakizmit. Benedikti theksonte vlerën e uratës dhe të punës së dorës (ora et labora). Lidhur me uratën përfshihet studimi i Shkrimit të Shenjtë, ndërsa me anën e punës fizike i jep murgut dimension kozmik, human dhe kreativ.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Jacques Le Goff, Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar, Toena, Tiranë 1998, faqe 471.
2-Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Drita, Zagreb 1998, faqe 144.