BIMËT MJEKËSORE


BIMËT MJEKËSORE
✤ Bimë që përmbajnë lëndë vepruese, të cilat ndikojnë në organizmin e njeriut e të kafshëve dhe përdoren për parandalimin, lehtësimin e mjekimin e sëmundjeve. U shfrytëzohen zakonisht në gjendje të tharë (droga) ato ©rgane, që përmbajnë më shumë substanca vepruese si: alkaloide, esenca heterozoide, saponine, tanine etj. Traditat e përdorimit popullor të B. M. janë mjaft të lashta në Shqipëri. Grumbullimi i organizuar i tyre e përpunimi industrial filloi vetëm pas Çlirimit (shih: Herboristika). Flora shqiptare (shih) ka mbi 300 bimë me veti mjekuese, që hasen në të gjitha zonat fitoklimatike të përhapjes të florës spontane. Në zonën e pyjeve e të shkorreteve mesdhetare takohen: dafina, sherbela, boçka, murrizet (Crataegus L.), tatulla (Datura stramonium L.), kërkuta (Ammi visnaga, L.), kamomili (Chamomilla recutita, L., Rauschert), gjethe delli (Plantago, L.), hithri (Urtica dioica, L.), manaferra (Rubus ulmifolius Schott), lulebalsami (Hyperieum perforatum L.) mëllaga (Malva sylvestris L), thundërmushka (Tussilago farfara, L.), grami (Cynodon dactylon, (L. Pers) etj. Në zonën e dushkut: dëllinjat, blirët, trëndafilat e egër (Rosa L.), rigoni, zhumbrica etj; në zonën e ahut: thrashegrat (Vaccinium, L.), gështenja e egër, mjedra (Rubus idaecus, L.) etj. dhe në zonën e kullotave alpine: bishtamithi (Achillea millefolium L.), aguliçja (Primula vxilgaris Huds) etj. B. M. sipas substancave vepruese që përmbajnë, mund të jenë edhe bimë aromatike, regjëse, ngjyruese, të dëmshme (për bujqësinë) dhe helmuese (për bagëtinë). Sipas veprimit farmakologjik të lëndëve aktive që përmbajnë, B. M. radhiten në grupe të ndryshme fitoterapeutike, si: bimë kardiotonike, spazmolitike, antikolinergjike, laksative, antiseptike intestinale, hemostatike, qetësuese etj. Me studimin e vlerave të tyre dhe të traditave për përdorimin e B. M. merret posaçërisht Instituti i Mjekësisë Popullore. Ka disa botime që trajtojnë përhapjen, përpunimin, përmbajtjen dhe përdorimin e tyre. B. M. shfrytëzohen nga Profarma (shih), si dhe eksportohen në sasi relativisht të mëdha.

(Z. S.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bimët Mjekësore


[cite]