BREDHI
✤ (Abies, L.) Dru i familjes së pishave rPinaceae) përherë i blertë deri 60 m i lartë me diametër më të madh se 2 m, me kurorë të dendur konike që shpeshherë mbulon trupin deri në tokë, me lëvore të trashë, me çarje gjatësore e

të errët, me sytha të rrumbullakët me ose pa rrëshirë që qëndrojnë 2-5 së bashku në fund të bisqeve,

me gjethe (hala) të flashkëta, të shtypura, vizore, pa bisht me dy vija të bardha në faqen e poshtme, me lule mashkullore të vendosura në gathë sqetullorë, cilindrikë ose konikë, ato temërore të vendosura në boçe të vogla të drejtuara përpjetë. Bën frytin boçe cilindrike ose konike, të drejtuar përpjetë me mëlluga

që bien së bashku me farën kur piqet boçja. Farat janë të pajisura me flatra. Në Shqipëri rriten 7 lloje B., dy prej të cilëve janë të përhapur në male e lugina në V. dhe J, si B. i bardhë (A. alba, Mill.) dhe B. i Maqedonisë (A. Borisii regis, Mott). Pesë llojet e tjera rriten si drurë zbukurimi nëpër parqe. Druja e B. është pa nyja, e butë, e lehtë, përdoret për orendi, për vegla muzikore e më rrallë në ndërtim, për nxjerrjen e celulozës në industrinë e letrës. Nga B. merren rrëshira dhe vajra, që përdoren për përgatitjen e disa barnave farmaceutike.

(Ll. T.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bredhi


[cite]