BRIGADA II SULMUESE E UNÇSH


BRIGADA II SULMUESE E UNÇSH
✤ U formua më 28.11.1943 në Shëngjergj të Tiranës me partizanë e kuadro nga Tirana, Elbasani, Berati, Gjirokastra dhe krahina të tjera të vendit. Në krijim përbëhej prej 450 vetash të organizuar në tri batalione. Në përurimin e saj mori pjesë edhe sh. Enver Hoxha. Pas formimit u fut në luftë për spastrimin e zonës së Çermenikës e të Dibrës nga forcat armike. Në Mësymjen e përgjithshme armike të dimrit 1943-1944 (shih), e ndodhur në zonën e Çermenikës, Shëngjergjit, Zaranikës e Kërrabës, zhvilloi luftime kundër forcave armike, por kryesisht për faj të komandës së saj pësoi humbje të rënda. Në fund të dhjetorit 1943 forca të Br. II dolën në zonën e Tiranës dhe kryen disa veprime luftarake, sidomos në Brrar e në Tujan më 23-24 janar 1944, ku ranë dëshmorë komisari i batalionit I Kozma Naska (shih) dhe komisari i kompanisë Besim Imami. Në prill 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, Br. II kaloi në krahinën e Korçës, ku u riorganizua dhe u plotësua me partizanë e kuadro. Gjatë Mësymjes së përgjithshme armike të qershorit 1944 (shih), Br. II zhvilloi luftime në zonën Leskovik-Përmet; kaloi në prapavijë të armikut, spastroi zonën e Dangëllisë dhe luftoi kundër forcave gjermane-balliste në zonën Leskovik-Kolonjë-Korçë-Devoll; çliroi Leskovikun, Ersekën dhe në bashkëveprim me Br. IX S (shih) Korçën e Bilishtin; goditi kolonat armike gjatë tërheqjes në rrugën Strugë-Përrenj as-Librazhd. Nga radhët e saj ranë 41 dëshmorë. Më 14.12.1944 u rreshtua në D. VII S (shih)

(U. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Brigada Ii Sulmuese E Unçsh


[cite]