BRIGADA VIII SULMUESE E UNÇSH
✤ U përurua më 25.4.1944 në Sheper të Zagorisë. U formua nga një pjesë e partizanëve të batalionit «Çamëria», nga pjesa më e madhe e batalionit «Perlat Rexhepi», nga batalioni «Koto Hoxhi», dy kompani të batalionit minoritar «Thanas Ziko», si dhe me partizanë të rinj, gjithsej 4 batalione me 850 partizanë. Në fillim Br. VIII S u ngarkua nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH për të mbrojtur Kongresin e Përmetit (shih) tok me njësi të tjera të UNÇSH. Për dështimin e Mësymjes së përgjithshme armike të qershorit 1944 (shih), Br. VIII S kreu detyra të vështira dhe të rëndësishme, duke i shkaktuar armikut mbi 280 të vrarë e 150 të plagosur. Pasi spastroi krahinën e Lunxherisë dhe të Libohovës nga armiku, më 18-19 korrik zhvilloi luftime për çlirimin e qytetit të Gjirokastrës, në gusht çliroi Konispolin. Në muajin shtator-tetor 1944 bëri luftime për mbrojtjen e Beratit, si dhe një sërë goditjesh në rrugën Berat -Lushnjë. Në tetor një pjesë e forcave të saj tok me ato të Br. XVI S (shih) çliroi qytetin e Lushnjës. Në tetor-nëntor 1944 mori pjesë në luftën e Tiranës (shih).
Në nëntor 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH Br. VIII S u rreshtua në D. IV S (shih), kurse në fillixn të dhjetorit kaloi në varësi të D. VI S (shih) ku së bashku me Br. VI, VII, XXII S mori urdhër të kalojë për ndjekjen e forcave naziste në tokat e Jugosllavise dhe për të ndihmuar në çlirimin e tyre. Ajo zhvilloi një varg luftimesh të ashpra dhe heroike në Mal të Zi, në Vishegrad etj, kaloi në Kosovë dhe pastaj u përqendrua në Strugë. Më 4.12.1945 u kthye në atdhe dhe u vendos në qytetin e Pogradecit. Më 30.4.1945 Br. VIII S kishte 1860 veta. Nga radhët e saj ranë 140 dëshmorë, midis tvre edhe Theodhori Mastora, Hero i Popullit.
(P. Ha.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Brigada Viii Sulmuese E Unçsh