BRIGADA XII SULMUESE E UNÇSH


BRIGADA XII SULMUESE E UNÇSH
✤ U formua më 20.5.1944 në fshatin Sukë të Përmetit mbi bazën e kuadrove e partizanëve që erdhën nga radhët e Grupeve të Kurveleshit, Vlorës, Mallakastrës e Gjirokastrës të Zonës I Operative. Forcat i organizoi në katër batalione me një efektiv të përgjithshëm prej rreth 650 luftëtarësh. Veprimet luftarake kryesore i zhvilloi në krahiën e Dëshnicës të Përmetit, në Kurvelesh, gjatë bregut të detit Jon, në Vlorë dhe në zonën e Peqinit. Ndër luftimet më të rëndësishme ishin ato të zhvilluara prej 3-9 qershorit në Therepel, në Vokopolë, në Qafë-Shkozë, në Rehovë, në Qafën e Kiçokut e në Arrëz të Beratit, për mbrojtjen e drejtimit Berat-Këlcyrë; luftimet në Kurvelesh, në grykën e Bënçës e të Salarisë, në Qafën e Kreshtës dhe Zhurin e Kuçit, nga 11-23 qershor; luftimet gjatë bregut të detit Jon e Adriatik dhe në Vlorë, nga fundi i korrikut deri në fund të tetorit, gjatë të cilave, së bashku me Br. XIV S (shih), çliroi Sarandën, ndërsa më 15 tetor çliroi me forcat e veta qytetin e Vlorës. E inkuadruar që në tetor në D. III S (shih), në nëntor kaloi në Shqipërinë e Mesme, ku zhvilloi luftime në rrugën automobilistike Elbasan-Peqin, të cilën e mbajti nën goditje të vazhdueshme, për të mos lejuar armikun t’i çonte përforcime garnizonit të Tiranës. Gjatë kësaj kohe., së bashku me Br. XI S (shih) mori pjesë në çlirimin e Peqinit, Kavajës e Durrësit. Partizanët e saj i shkaktuan dëme të mëdha armikut në njerëz e material luftarak. Nga efektivi i Brigadës ranë dëshmorë mbi 70 partizanë e kuadro.Më 18 nëntor Br. XII S u rreshtua në D. I S dhe u përqendrua në qytetin e Gjirokastrës e më vonë në atë të Sarandës. Në këtë kohë kishte në efektiv rreth 1250 luftëtarë.

(M.N.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Brigada Xii Sulmuese E Unçsh


[cite]