BRIGADA XXII SULMUESE E UNÇSH


BRIGADA XXII SULMUESE E UNÇSH
✤ U formua më 18.9.1944 në Pezë, me partizanë të Grupit të Pezës. Efektivi prej rreth 1100 veta u organizua në katër batalione. Një ditë pas formimit, u hodh në mësymje për të spastruar zonën e Shijakut nga forcat tradhtare. Më 23 dhe 25 shtator batalioni III i Br. XXII S sulmoi forcat naziste gjermane në Lekaj të Kavajës, ndërkohë repartet e tjera të saj zhvilluan luftime gjatë rrugës Ndroq-Plazhi i Durrësit dhe Kavaj ë-Rrogozhinë-Peqin. Partizanët depërtuan edhe në rrethinat e Tiranës. Në rrugën Mamurras-Milot ata goditën pa ndërprerje armikun dhe shpartalluaD postat e tij.

Më 27 shtator Br. XXII S u rreshtua në D II S të UNÇSH (shih). Në mbrëmjen e 6 tetorit asgjësoi në ecje e sipër në Kashar e në Kus të Tiranës forcat balliste. Prej këtej marshoi në drejtim të Matit dhe më 13 tetor u përqëndrua në Lurë. Nga 17 tetori deri më 30 nëntor mori pjesë në luftimet mësymëse që zhvilloi Divizioni II S dhe njësitë e tjera të UNÇSH për çlirimin e Mirditës (Shënpalit), të Pukës e të Shkodrës. Më 18.11.1944 u rreshtua në D. VI S të UNÇSH (shih). Me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH, sh. Enver Hoxha, pas Çlirimit të Shkodrës, ajo kaloi kufirin shtetëror dhe u hodh në Mal të Zi për të ndihmuar popujt e Jugosllavisë në luftën për çlirim. Dy javët e para të dhjetorit partizanët e Br. XXII S luftuan për çlirimin e Tuzit. Në këto luftime ranë dëshmorë 14 partizanë. Në luftimet në thellësi të Malit të Zi dhe të pjesës J të Bosnjës, Br. XXII S, në bashkëveprim me Br. VI, VII, VIII S, mori pjesë në çlirimin e Podgoricës dhe të Vishegradit. Pasi kreu detyrën duke përshkuar një rrugë luftarake prej rreth 2000 km, ajo u kthye në Atdhe. Nga Br. ranë në fushën e nderit 112 partizanë e partizane, prej të cilëve 85 luftëtarë dhanë jetën për çlirimin e Jugosllavisë. Ndër dëshmorët ishte edhe pionieri Met Hasa (shih), Hero i Popullit. Brigada botoi organin politiko-ushtarak «Përpara».

(R.Ku.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Brigada Xxii Sulmuese E Unçsh


[cite]