BURETO
✤ Mal në rrethin e Gjirokastrës, pjesë përbërëse e vargut malor Shëndelli-Lunxhëri-Bureto, me lartësinë më të madhe në pjesën qendrore (1763 m). Përbën kufirin ujëndarës midis ujërave që grumbullohen në 1. e Suhës dhe të Drinos. Është i ndërtuar nga gëlqerorë të kretakut e të paleogjenit dhe më pak nga flishi, që përbëjnë një strukturë antiklinale në formë arke me krahë asimetrikë. Kurrizi i malit është i sheshtë, me valëzime të lehta, i mbushur me forma karstike sipërfaqësore (dolina, hinka), prandaj ka rrjedhje të pakta ujërash sipërfaqësore. Shpati P është i pjerrët dhe i koklavitur nga shkëputjet tektonike krahinore. Si pasojë në rrëzë të tij dalin një sërë burimesh me ujë të pijshëm, si dhe burimi i ujërave minerale të Glinës (shih). Gjatë stinës së dimrit kurrizi i tij zihet nga dëbora. Në shpatin L është i veshur me shkurre e dushqe. Ka mjaft kullota verore dhe bimë mjekësore. Qendrat e banuara janë vendosur nga të dy anët deri në lartësinë absolute 700 m. Në rrëzën P të tij është qyteti i Lihohovës (shih).
(F. Kr.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Bureto
[cite]