Butrinti

Butrinti është një nga qytetet më të lashta të Shqipërisë. Me pozitë gjeografike të favorshme ai është më një kodër të gadishullit të Ksamilit, buzë liqenit me të njëjtin emër, rreth 15 kilometra në jug të Sarandës. Në kohët antike Butrinti i përkiste bashkësisë së fiseve kaone dhe më vonë kaloi në shtetin e Epirit. Mbas pushtimit romak në vitin 167 para Krishtit, Butrinti është kryeqendra e bashkësisë së njërit prej fiseve kaone, ndërsa në kohën e Jul Çezarit, Butrinti u kthye në koloni romake. Në shekullin V para Krishtit Butrinti shtrihej në të gjithë faqen veriore të kodrës. Nga ajo kohë janë ruajtur muret rrethuese, të cilat zbresin me portat e tyre deri në bregun e liqenit. Në gjysmën e dytë të shek. III para Krishtit qyteti u zgjerua duke u shtrirë në fushën që gjendej nga ana jugore e kodrës. Aty u ndërtua agora (pazari) e qytetit, një portik, një tempull i vogël dhe teatri i famshëm me 1500 vende. Në kohën romake, Butrinti u rindërtua plotësisht. Ndër veprat e artit të zbulura në Butrint, vend të veçantë zënë ato të skulpturës, midis të cilave shprehet një reliev i Nikes që i përket shek. V para Krishtit, si dhe një kokë femre e njohur me emrin “Hyjnesha e Butrintit”. Me këtë trashëgimi antike lidhen edhe disa monumente të kohës së Bizantit, të cilat dëshmojnë për zhvillimin e krishterimit në vend. Në shekujt që vijojnë, Butrinti ndoqi fatet e Perandorisë Romake. Me ndarjen e saj hyri nën sundimin e Perandorisë Bizantine. Në mesjetë gjatë shekujve XVII – XVIII Butrinti i përkiste sundimeve të Venedikut. Me dobësimin e rënien e Pashallëkut të Janinës, Butrinti kaloi nën sundimin e gjatë osman deri në vitin 1913. Gjatë viteve 1927– 1940 në Butrint u kryen kërkime arkeologjike nga një mision arkeologjik italian. Pas çlirimit të vendit në këtë qendër u kryen mjaft kërkime arkeologjike, prej të cilave del se në shek VII dhe VI para Krishtit Butrinti ishte një qendër urbane, gjurmët e së cilës janë ruajtur në Akropolin e qytetit.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë, 1998, faqe 19.

Besimi — Ortodoks

[cite]