BYTYÇI
✤ Krahinë e rrethit të Tropojës në Malësinë e Gjakovës, midis luginës së Skatinës në JL, luginës së Drinit në JP, pellgu? të Tropojës dhe vijës kufitare në VL. Është e ndërtuar tërësisht nga shkëmbinj magmatikë ultrabazikë me strukturë tepër të copëtuar. Relievi është kryesisht kodrinor, me lartësi 600-800 m. Rrjeti i dendur i përrenjve (të Skatinës, Bytyçit, Degës, Tplanit, etj.) e ka copëtuar mjaft relievin. Majat më të larta janë Dobrej (1280 m), maja e Dhinës (1270 m) dhe e Pllumbit (1198 m), kurse qafat kryesore janë ajo e Luzhës (shih) dhe e Milicës (928 m). Afro një e treta e sipërfaqes së përgjithshme është e mbuluar nga dushkaja. Është e zhvilluar bujqësia (mbillet thekra, gruri, misri. patatja) e blegtoria, shfrytëzohen pyjet (Berishë e Cukë) dhe nxirren xeherorë (Kam, Rragam, Kepenek), Qendrat kryesore të banimit janë Zogaj (qendra), Bytyçi, Kami, Tplani, Luzha etj. (Gj.G.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Bytyçi
[cite]