Çështja fetare

Si rrjedhojë e pushtimit dhe e sundimit katërshekullor osman, shqiptarët hynë në historinë moderne të ndarë në tri besime të ndryshme fetare: krahas feve të mëparshme ortodokse e katolike, të cilat i ruajti një pjesë e popullsisë, u shtua edhe ajo myslimane, së cilës i përkiste tashmë shumica e shqiptarëve.
Shek. XIX bashkë me këtë ndarje fetare të popullsisë trashëgoi edhe peshën e rëndë të politikës teokratike të sulltanëve osmanë, që vinte shenjën e barazimit midis fesë e kombësisë dhe e trajtonte popullin shqiptar, me tri besime, të ndarë në tri kombësi të ndryshme. Kësaj politike i bënë jehonë Patrikana greke e Stambollit, si dhe qarqet drejtuese të shteteve fqinje e kishat e tyre respektive. Jeta shpirtërore (ndërgjegjja fetare) e besimtarëve shqiptarë sundohej nga tri institucione fetare, tri shkolla dhe tri kultura të huaja. Këto institucione klerikale vareshin nga tri qendra universale të huaja, nga Halifati sulltanor, Patrikana fanariote dhe Papati roman, prej të cilave asnjëra nuk e përkrahte idenë e një shteti kombëtar shqiptar.Por ndryshe nga disa vende të tjera ballkanike, popullsia shqiptare nuk u nda në aq kombësi sa edhe fe. Ndërgjegjja fetare nuk e errësoi dhe nuk e mbuloi asnjëherë ndërgjegjen e kombësisë shqiptare. Udhëtarët e huaj të shek. XIX kanë vënë në dukje se, ndërsa nga pikëpamja fetare në përgjithësi ishte hapur një hendek midis ortodoksit, katolikut e myslimanit të të njëjtit komb, te popullsia e Shqipërisë mbizotëronte ndjenja e kombësisë. Ndërmjet elementëve të feve të ndryshme të vendit u ruajtën lidhjet shpirtërore, ekonomike e shoqërore, madje edhe lidhjet familjare. Me këtë shpjegohet prania e sinkretizmit fetar të përfaqësuar nga “laramanët” (të krishterët e fshehtë), përhapja e gjerë e bektashizmit me doktrinat e tij liberale dhe fakti që Shqipëria nuk njohu asnjëherë grindje e luftëra fetare.
Megjithëse popullsia shqiptare i pati bërë ballë kësaj trysnie qindravjeçare dhe, siç shkruante udhëtari anglez Th. S. Hjugs (Th. S. Hughes) në vitin 1820, e ruajti të paprekur ndjenjën e kombësisë së vet, ndarja në tri fe të ndryshme e sidomos varësia e tyre nga institucione të huaja klerikale dhe politika e përçarjes fetare, e ndjekur ndaj shqiptarëve, e vështirësuan bashkimin e popullit shqiptar dhe u bënë pengesë në luftën e tij kundër zgjedhës së huaj për çlirimin kombëtar. Përveç kësaj, Porta e Lartë, Patrikana greke prej nga vareshin kishat ortodokse të Shqipërisë, si dhe fuqitë e tjera të huaja u përpoqën t’i përdornin fetë në Shqipëri si një mjet që i shërbente politikës së tyre. Rrjedhojat negative, që vinin nga kjo ndarje fetare e shqiptarëve, mund të shihen si një nga faktorët (pas atyre ekonomiko-shoqërorë), që përcaktuan ritmet disi të ngadalshme të procesit të emancipimit politik dhe të zgjimit kombëtar të shqiptarëve.

Ndarja e popullsisë në tri besime dhe politika e përçarjes fetare që ndiqej ndaj saj, nuk mund të mos shtronte përpara Lëvizjes Kombëtare Shqiptare disa detyra të veçanta, që nuk i ka njohur ajo e vendeve të krishtere ballkanike. Feja e përbashkët, krahas ideve kombëtare, ishte një faktor që i afronte shpirtërisht elementët përbërës të këtyre popujve ballkanikë dhe që shpejtoi bashkimin e tyre kombëtar në luftën çlirimtare kundër sundimtarëve osmanë, të cilët ishin myslimanë. Meqë popullsia e këtyre vendeve i përkiste të njëjtit besim fetar, udhëheqja e lëvizjes së tyre përfitoi nga antagonizmi fetar me sundimtarët osmanë për ta përdorur kishën si forcë ideologjike dhe agjitatore në lëvizjen çlirimtare. Ndërsa në Shqipërinë e shek. XIX, kur popullsia ishte e ndarë në tri besime të ndryshme fetare dhe kur 3/4 e saj ishte myslimane, domethënë kishte të njëjtën fe me sundimtarët osmanë, nuk mund të bëhej fjalë për këtë antagonizëm, të shtruar në rrafsh fetar.

Në këto kushte bashkimi i shqiptarëve në luftën çlirimtare do të arrihej jashtë fesë, mbi fenë dhe vetëm i mbështetur në parimin e kombësisë. Rrjedhimisht lufta për afirmimin e parimit të kombësisë, që ishte e përbashkët për të gjitha lëvizjet kombëtare ballkanike, pati në Shqipëri veçoritë e saj, u ngrit jo vetëm jashtë fesë, por u drejtua njëherazi kundër identifikimit të përkatësisë fetare të elementëve të ndryshëm të popullsisë shqiptare me atë kombëtare dhe e zhveshi ndarjen fetare nga petku politik. Rilindësit bënë një punë këmbëngulëse e të vështirë për të kapërcyer dasitë fetare dhe politikën përçarëse të sundimtarëve osmanë e të Patrikanës së Stambollit, që identifikonin fenë me kombësinë. Ata luftuan gjithashtu kundër çdo orvatjeje për ta shndërruar ndarjen fetare në përçarje politike-fetare.
Rilindja Kombëtare u ndesh edhe me konceptet fetare mbi kombin. Ideologjisë së panislamizmit, të panortodoksizmit etj., që kishte gjetur mbështetje edhe në disa qarqe çifligare e borgjeze turkomane e grekomane shqiptare dhe që identifikonte fenë me kombësinë, ajo i kundërvuri iluminizmin e racionalizmin e vet e, në radhë të parë, konceptin mbi kombin shqiptar si një kategori e veçantë historike, që ishte një dhe i pandarë, megjithëse u takonte tri besimeve fetare, e që dallohej nga kombet e tjera.

Iluministët e vendosën Rilindjen Kombëtare në një platformë të përparuar, bashkëkohëse dhe jashtëfetare, në parimin e kombësisë, të shqiptarisë. Parimi “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, që përshkon një literaturë të tërë politike e artistike të periudhës së Rilindjes, ishte pa dyshim afetar, por jo antifetar, një parim politik, që synonte bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Ky koncept i shqiptarisë si feja e shqiptarëve pushtoi gjatë epokës së Rilindjes mendjet e zemrat e shqiptarëve, duke u bërë një forcë ideore, që bashkoi shpirtërisht e mendërisht shqiptarët në luftën për çlirimin kombëtar.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]