DEMONSTRATA E BUKËS E KORÇËS
✤ (21.2.1936). Një nga demonstratat më të mëdha politike antizogiste, e organizuar nga Grupi Komunist i Korçës (shih). Në të morën pjesë punëtorë, zanatçinj dhe nxënës shkollash. Demonstrata shpërtheu si rezultat i gjendjes së keqe ekonomike dhe shtypjes politike nga ana e regjimit zogist. Ajo drejtohej kundër dhunës së aparatit shtetëror, papunësisë, zisë së bukës dhe rritjes së çmimeve nga ana e spekulatorëve. Autoritetet lokale mobilizuan forca të mëdha xhandarësh, të cilët u përleshën me demonstrues dhe i shpërndanë këta. Gjatë përleshjes pati të plagosur dhe u bënë mjaft arrestime. Komunistët e arrestuar që u nxorrën para gjyqit, u kthyen nga të akuzuar në akuzues dhe demaskuan regjimin reaksionar zogist e klasat sunduese si shkaktare të gjendjes së mjeruar të popullit. Megjithëse demonstrata u shtyp, ajo shkaktoi një panik të madh në regjimin zogist e klasat e pasura dhe u cilësua nga shtypi zyrtar si një hap drejt kryengritjes popullore. D.eB.eK. i dha një hov të ri lëvizjes punëtore e antizogiste në gjithë vendin dhe, sikurse shkruante Ali Kelmendi, «…i tregoi gjithë popullit shqiptar se komunistët janë luftëtarët më të guximshëm dhe më konsekuentë kundër diktaturës së Ahmet Zogut*.
(Ll. N.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Demonstrata E Bukës E Korçës
[cite]