DETARIA
✤ Mjeshtëria e lundrimit në dete dhe e ndërtimit të anijeve për këtë qëllim. Shqiptarët trashëgojnë tradita të lashta të D. Në periudhën e ilirëve fisi i parë më^-i përmendur për D. të zhvilluar ishin japodët dhe pas tyre liburnët me anijet liburnide të famshme, që ishin të lehta e ‘të shpejta. Nën mbretërinë e Agronit, Teutës e Gentit fuqia detare ilire u rrit. Lambet ilire ishin aq të përmendura, sa Filipi i Maqedonisë mori mjeshtër ilirë për ndërtimin e flotës së vet. Mbretërit ilirë ishin në gjendje të vinin në lëvizje 5.000 luftëtarë menjëherë me anije dhe të organizonin 2-3 ekspedita detare në drejtime të ndryshme. Nën pushtimin romak, bizantin e venedikas aftësitë për D. të vendësve u shfrytëzuan për fuqizimin e flotave të sunduesve. Me principatat shqiptare të mesjetës traditat e D. u përtërinë. Balshajt, Topiajt u përpoqën të krijonin flotat e tyre tregtare e luftarake. Skënderbeu ngriti porte të veta, duke iu kundërvënë zotërimit venedikas të bregdetit. Me pushtimin osman popullsia bregdetare e Shqipërisë emigroi në V në bregdetin dalmatin dhe në J në ishujt e Jonit, duke u dhënë atyre detarë të zotë. Në shek. XVII-XVIII vetëm Ulqini kishte 500 mjete lundrimi të ndërtuara në vend. Të njohur për detarë ishin edhe himariotët. Në shek. XIX D. shqiptare filloi të bjerë për arsye të konkurrencës që i bënin shoqëritë e mëdha evropiane të lundrimit. Pas shpalljes së Pavarësisë detaria nuk pati zhvillim të madh dhe u kufizua kryesisht në trafikun e brendshëm. Në vitet 30 kishte 60 barka e motoveliere dhe 3 anije. Pas Çlirimit, filloi për D. një etapë e re. U ngrit Kantieri detar (shih) i Durrësit, ku ndërtohen anije druri e metalike. U përgatitën kuadrot e detarëve edhe në shkollat tona. Flota Tregtare (shih) është e pajisur me mjete detare bashkëkohore, Transporti detar (shih) është degë më vete e komunikacionit.

(L. L.—Rr. Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Detaria


[cite]