Dhimitër Beduli

Dhimitër Beduli

shqiptar ortodoks Dhimitër Beduli (1914-1996) ka lindur më 1914 në Skore të Pogonit në rrethin e Gjirokastrës. Në vitin 1930 pasi përfundoi gjimnazin në Athinë, u nis për studime teologjike në Rumani, të cilat i përfundoi në vitin 1934. Përveç studimeve teologjike Beduli u specializua në Muzikën Bizantine. Sapo u kthye nga Rumania në vitin 1934 punoi si pedagog dhe gjatë viteve 1935- 1944 u emërua drejtor i seminarit “Apostull Pavli” në Tiranë. Me mbylljen e Seminarit në vitin 1945 Beduli filloi punë në Drejtorinë Qendrore të Ofiçinave në Durrës dhe në vijim shef plani në Uzinën Mekanike në Tiranë. Mund të themi se që nga viti 1945 deri në vitin 1967 kur u prishën kishat, janë plot 22 vjet, gjatë të cilave Beduli i talentuar ka qenë i mënjanuar. Pas triumfit të demokracisë, Beduli, tashmë pensionist u vu në krye të grupit për ringjalljen e kishës. Me ardhjen në Shqipëri të Kryepiskopit Anastas, Dhimitër Beduli u bë krahu i djathtë i tij. Beduli iu kthye punës pedagogjike në seminarin e Durrësit dhe veprimtarisë publicistike, duke qenë artikullshkruesi kryesor i gazetës “Ngjallja”. Për kontributin e tij shumëvjeçar, për lartësimin e Ortodoksisë në Shqipëri Patriku Ekumenik Bartolomeu I e nderoi Bedulin me titullin “Arhond- Mësues i Ungjillit”. Shumica e veprave të Bedulit u botuan pas vdekjes së tij dhe për këtë meritë ka i biri Kristofor Beduli, i cili i përgatiti për botim. Ja disa prej tyre: 1-Kisha Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë deri në vitin 1944, botuar në vitin 1992. 2-Një vështrim mbi kishat dhe manastiret e Pogonit, botuar në vitin 1996 3-Kodiku i Kishës së Shën Prokopit (Bashkësia ortodokse e Tiranës), botuar në 1997 4-Skorea e Pogonit, botuar në vitin 2000 5-Sopiku i Pogonit, botuar në vitin 2002 6-Çatista e Pogonit, botuar në vitin 2002 Përkthime të Dhimitër Bedulit: 1-Besimi, botuar më 1939 dhe ribotuar më 1994 2-Historia e një princi indian, botuar më 1945 dhe ribotuar më 1994 3-Ungjilli bazë e jetës, botuar më 1944 dhe ribotuar më 1994 4-Orthodhoksia, botuar më 1945 dhe ribotuar më 1994 5-Kozmai nga Etolia, botuar më 1979 Dhimitër Bedulin e kam pasur profesorin e Historisë së Krishterimit në Shqipëri gjatë kohës që studioja në Seminar. Ka qenë lënda që e kisha pasion jo vetëm se më pëlqente, por edhe nga mënyra e mësimdhënies së profesorit. Figura të tilla si Beduli janë të papërsëritshme, prandaj duhen vlerësuar ashtu siç e meritojnë.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]