Dhimitër Kokoneshi
shqiptar ortodoks Dhimitër Kokoneshi ka lindur më 26 tetor të vitit 1886 në fshatin Llëngë të Pogradecit në një familje atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në vijim studioi në shkollën Normale të Manastirit, të cilën e përfundoi më 1906. Pasi u kthye në atdhe filloi veprimtarinë patriotike duke u lidhur me lëvizjen e Fan Nolit. Në vitin 1925 Dhimitër Kokoneshi përfundoi Seminarin në Janinë të Greqisë dhe pas dy vjetësh më 1927 u dorëzua prift nga Kryeepiskop Visarion Xhuvani. Atë Dhimitër Kokoneshin e emëruan në kishën e Shën Marenës në manastirin e Llëngës. Veprimtaria e tij patriotike është vlerësuar nga instancat më të larta të vendit. Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar me urdhërin “Ylli i kuq”, “Medaljen e kujtimit”, “Medaljen e trimërisë” etj. Gjithashtu nga Këshilli i Qarkut të Korçës i është dhënë titulli i lartë “Qytetar Nderi” me këtë motivacion: “Për kontributin e tij të shquar në kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve të Qarkut të Korçës si dhe rritjen e Autoqefalisë së Kishës Shqiptare. Pjesëmarrës në Luftën Nacional-çlirimtare dhe i zgjedhur në organet e pushtetit për disa vite rrjesht”. Dhimitër Kokoneshi u shqua në tri fronte; 1) Ka marrë pjesë aktive në Luftën Nacional-Çlirimtare dhe është shquar për trimëri. 2) Ka treguar aftësi organizative në drejtimin e pushtetit vendor. 3) Si primat i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Dhimitër Kokoneshit, ndonëse ishte klerik më 30 gusht të vitit 1944 iu besua detyra e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Pogradecit, në një situatë shumë të vështirë për vendin. Atë Dhimitër Kokoneshi gjatë viteve që drejtoi Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Pogradecit u shqua për aftësi drejtuese. Me interesimin e tij të drejtpërdrejtë u zgjidhën shumë probleme të kohës. Duke pasur të veshur veladonin e priftit autoritetet e kohës i kërkuan të kryente vetëm një detyrë. Kështu Dhimitër Kokoneshi la kolltukun e butë të Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv dhe përqafoi udhën plot kryqe të klerikut ortodoks. Këtë zgjedhje e bëri për t’i shërbyer më mirë popullit të Pogradecit, të cilët e donin dhe e respektonin pa masë. Me fjetjen e bashkëshortes në vitin 1939 Atë Dhimitër Kokoneshi mori ofiqin e arkimandritit. Ndërkohë mori emrin Damiano. Në tetor të vitit 1947 Arkimandrit Dhimitër Kokoneshi u dorëzua në gradën episkopale prej Hirësisë së Tij, Paisit dhe Hirësisë së Tij, Kristoforit dhe u emërua Mitropolit i Gjirokastrës, ndërsa më 1966 Hirësia e tij, Damjani u fronëzua mitropolit i Korçës. Me vdekjen e Kryeepiskopit Pais Vodica më 4 mars të vitit 1966 Episkopi i Korcës Damjani u fronëzua Kryeepiskop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Emri i tij si Kryeepiskop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u përmend për herë të parë gjatë hyrjes së madhe në meshën e datës 13 qershor 1966. Fortlumturia e Tij, Kryeepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Damjan Kokoneshi përballoi me urtësi mbyllen e kishave. Sekuestrimi i librave fetarë dhe sendeve të shenjta shkaktoi një brengë të madhe në shpirtin e Damjan Kokoneshit. Para se të ndërronte jetë më 18 tetor të vitit 1973 u la amanet fëmijëve që kryqin dhe veshjet klerikale t’ia vinin në varr, sepse pranë tyre do ta ndjente veten gjithnjë në shërbim të Perëndisë. Me fjetjen e tij populli i Pogradecit humbi një nga patriotët e orëve të para të luftës, ndërsa Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë humbi primatin e saj. Ai u largua nga kjo botë dhe tani prehet në paqe pranë Atit qiellor, duke na lënë imazhin e njeriut të drejtë dhe të përkushtuar tek Perëndia.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)