Donati
(greqisht: Δονάτος) Donati ka qenë peshkop i qytetit të Evrisë dhe ka ushtruar aktivitetin në kohën e Teodosit të Madh (379-395). Ai ka lindur në Evria, afër Paramithisë së Epirit. Donati ka marrë pjesë në Sinodin II Ekumenik që u mbajt në Kostandinopojë (381). Në fshatin e tij të lindjes në Sul, kishte një burim me ujë vdekjeprurës. Donati shkoi së bashku me klerikët e tij dhe menjëherë u dëgjua një gjëmim. Atëherë doli prej burimit një dragua, i cili iu vërsul shenjtit. Donati e goditi me litar dhe dragoi ngordhi. Në vijim Donati bekoi burimin dhe piu ujë vetë i pari. Fama e tij shkoi deri në Kostandinopojë. Donati fjeti më 387 në moshë të madhe. Në kujtim të tij në qytetin e Evrisë u ndërtua manastiri i Shën Donatit. Në kohën e pushtimit turk vendi përreth manastirit u quajt Ajdonat Kalas, që do të thotë Kalaja e Donatit ose Ajdonati i sotëm. Shën Donati është shenjti mbrojtës i Epirit të Vjetër. Në vitin 1125 trupi i tij u mor prej venecianëve dhe ka shumë mundësi të ndodhet në Murano të Venecias, ndërsa sipas Nikodhim Agjioritit lipsanet e Donatit janë të fshehura në malësinë e Sulit në shenjë respekti për shenjtorin suliot.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Mitropoliti i Korçës Joani, Shenjtorët Iliro-shqiptarë (Dispensë), faqe 57-58.