DORËSHKRIMET KISHTARE MESJETARE TË SHQIPËRISË 1
THEOFAN POPA
Me mbarimin e luftës antifashiste në Shqipëri u krijuan kushte të favorshme për punë
shkencore. Punonjës të shkencës nisën ekspeditat kërkimore dhe bënë një punë të
madhe për grumbullimin dhe sigurimin e monumenteve të rëndësishme të vendit. Gjatë
ekspeditave u sigurua thesari i madh artistik i popullit tonë; u regjistrua një numër i madh
monumentesh arkitekturore antike e mesjetare; u zbulua dhe u identifikua piktura monumentale
dhe ajo me kavalet /ikonografia mesjetare/; u grumbullua dokumentacioni epigrafik i
monumenteve dhe i veprave artistike të tyre, dokumentacion që nxori në dritë autenticitetin e
kulturës mesjetare shqiptare, mjeshtrit e talentuar mesjetarë shqiptarë të të gjitha gjinive
artistike.
Përveç të tjerash, u grumbullua dhe një sasi e konsiderueshme librash në dorëshkrim –
kodikë agjiografikë mesjetarë, që i përkasin periudhës historike prej shekullit të 6-të deri në
atë të 15-të, si dhe dorëshkrime më të vona, më pak të rëndësishme, të riprodhuara gjatë
periudhës osmane, deri në shekullin e 18-të.
Sasia e kodikëve të zbuluar, që janë riprodhuar deri në shekullin e 15-të, ka arritur vitet e
fundit në 62 vëllime. Nuk përjashtohet zbulimi i kodikëve të tjerë, që mund të ruhen ende
nëpër familje.
Që Shqipëria të trashëgojë një sasi të madhe dorëshkrimesh, që prej shekujve të fillimit të
mesjetës, kjo nuk është një gjë e çuditshme, për faktin se, sikurse është bërë e njohur, ajo
është vend traditash të lashta kulturore.
Si vend kulture të lashtë për Shqipërinë, së pari, flasin qendrat e njohura antike urbane të
vendit, si Dyrrahu, Butrinti e të tjera. Në këto qendra dëshmohet një kulturë e shkëlqyer grekoromake,
ndikimet e së cilës përvetësohen në mënyrë krijuese nga popullata autoktone ilire.
I njohur është fakti i përhapjes së krishtërimit në Shqipëri qysh nga shekujt e parë të erës së
re, gjë që argumentohet kryesisht nga burimet arkivore dhe arkeologjike, si dhe nga një sërë
monumentesh të kulturës paleokristiane, që po zbulohen kohë pas kohe nëpër vise të
ndryshme të vendit, siç janë mozaikët e shkëlqyer të kishës së Linit dhe të asaj të Tushemishtit
(Pogradec), të bazilikës së Elbasanit dhe asaj të Sarandës, të baptisterit të njohur të Butrinitit
etj., të cilët i takojnë një periudhe prej shekullit të 4-t deri në atë të 8-të të erës së re. Këto
mozaikë kanë një lidhje të ngushtë me dokumentet arkivore: me aktet e koncileve ekumenike
të kishës, në të cilët kanë marrë pjesë e kanë nënshkruar peshkopë të peshkopatave më të
vjetra të vendit tonë. Ndër ta, peshkopi i Pulheriopolit (Beratit) përmendet në aktet e koncilit të
parë ekumenik të Nikesë.
Me gjithë faktin e njohur që Mesjeta karakterizohet herë-herë me rënie të botës së vlerave të
kulturës, ku hyn dhe rënia e shkrimit dhe e librit, gjë që shpjegohet me ndryshimet ekonomikoshoqërore
pas shoqërisë skllavopronare, duhet thënë se shfaqja e kishës së krishterë, me
tendencën për t’u shtrirë në të gjitha shtresat shoqërore, bëri që të ruhej tradita e shkrimit dhe
e librit, si një mjet komunikimi për literaturën propagandistike dhe për atë liturgjike, pa të cilën
nuk mund t’i kryente funksionet e saj.
Me rastin e ngritjes dhe të organizimit të Ohrit si kryekishë nga perandori Justinian, nën
juridiksionin e së cilës përfshiheshin gati të gjitha peshkopatat e viseve tona, lulëzimi i kulturës,
i mbështetur dhe inkurajuar prej tipareve artistike antike të vona, u bë një dukuri pozitive, që
reflekton në monumentet tona mozaikale dhe dorëshkrimore paleokristiane të ruajtura deri
në ditët tona.
Në shekujt e mëvonshëm, gati gjatë gjithë Mesjetës, dihet që Shqipëria ishte pjesë e
Perandorisë Bizantine, e cila ushtroi një ndikim të thellë mbi tiparet e strukturës ekonomikeshoqërore
dhe mbi kulturën e vendit. Ky ndikim, gjithashtu, pasqyrohet në veprat artistike të
gjinive të ndryshme, që stolisin monumentet tona mesjetare, ndër të cilat përfshihen edhe
dorëshkrimet e vjetra, kodikët mesjetarë të vendit.
Kur flasim për ndikime nga kultura e Bizantit, nuk supozojmë një riprodhim të thjeshtë pasiv
të saj, sidomos kur është fjala për realizimin e veprave artistike, sepse një popull me një
specifikë të veçantë, si populli shqiptar, duke përftuar ndikime të një kulture të huaj, do të sillej
në mënyrë krijuese duke futur elemente të kulturës së vet, sipas natyrës, gustos dhe ambientit
të vet.
Të tilla elemente të reja me tipare vendëse vërehen, ku më shumë e ku më pak, në të gjitha
gjinitë e arteve të thesarit tonë artistik mesjetar, madje ato tek ne hasen deri në thellësitë e
Mesjetës edhe në kodikët mesjetarë.
Këta kodikë, ndonëse janë në gjuhë greke, e cila ishte gjuhë e shkrimit gjatë Mesjetës në
Bizant, si dhe latinishtja në Perëndim (të dyja mbizotërojnë si gjuhë të kishës dhe të kulturës),
kanë një rëndësi të veçantë për historinë e kulturës së vendit tonë, sepse dëshmojnë për
zhvillimin e literaturës mesjetare edhe në këtë anë të rajonit. Ata përfaqësojnë dëshmitë më
të vjetra të shkruara që ka ruajtur populli ynë, janë një dëshmi e gjallë e traditave tona kulturore
gjatë erës së re, qysh prej shekujve të parë të saj, dhe provojnë se populli ynë në periudhën
mesjetare ka ecur krahas popujve të tjerë të kulturuar.
Për ekzistencën e kodikëve mesjetarë të vendit tonë, i pari që ka shkruar është Anthim
Aleksudhi, i cili, qysh në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, shkroi për dorëshkrimet kishtare
të Shqipërisë gjatë gjithë periudhës historike prej paleokrishtërimit deri në kohët moderne. Në
veprën e tij mbi peshkopatën e Beratit ai ka përshkruar dhe gjashtë kodikë dorëshkrime të
kishave të tij.
Përveç kodikut më të vjetër, të quajtur „Beratinus“ nga shkrimtari francez Batiffol, të cilin ai ia
ka atribuar shekullit të 6-të dhe hyn në grupin e kodikëve më të vjetër mesjetarë, me grafi prej
shkronjash kapitale argjendi të shkrirë mbi pergamenë të purpurt, që sot paraqitet shumë e
zbehtë; si dhe kodikut të quajtur „i arti i Anthimit“ (shekulli i 9-të), i shkruar me shkronja të
vogla prej ari të shkrirë, kodikët e tjerë prej pergamene e letre janë shkruar me ngjyrë kafeje
me nuanca të ndryshme sipas kohës së riprodhimit. Disa nga këta kodikë titujt dhe inicialet i
kanë prej ari.
Pak më vonë pas Aleksudhit, shkrimtari francez Pier Batiffol vjen në Berat dhe i bën një
studim thesarit dorëshkrimor të kishave të qytetit. Në veprën e tij shumë të rëndësishme
„Les manuscrit grecs d’Albanie et Codex Purpureus Beratinus F “ ai botoi një katalog të
vogël të dorëshkrimeve të Beratit, duke dhënë disa karakteritika të tyre, gjithsej 16 kodikë,
nga ata që ai kishte mundur të shikonte. Në këtë botim ai ka dhënë të transkriptuar kodikun e
parë dhe më të vjetër të vendit tonë, të cilin e quajti „Codex Purpureus Beratinus“.
Ndonëse këto botime të para rreth kodikëve tanë kanë rëndësinë e tyre (ai i Aleksudhit ka
meritën se i pari informon për ekzistencën e dorëshkrimeve mesjetare të vendit dhe ai i
Batiffolit ka meritën se paraqiti disa prej tyre në formën e një katalogu të vogël, me të dhëna
të shumta shkencore), duhet thënë se në to gjendja e dorëshkrimeve të Beratit nuk paraqitet
e plotë. Kjo ka ngjarë për faktin që, siç pohon Batiffoli vetë, „nuk m’u lejua veçse të bëj një
inventar të shkurtër; kam përshtypjen dhe s’jam aspak i sigurt që të kem parë gjithçka nga
dorëshkrimet“. Këtë e tregon edhe numri i pakët i kodikëve që përshkruan në veprën që ai ka
botuar, në krahasim me ata që janë ruajtur deri sot.
Përshkrimet që Batiffoli u ka bërë dy kodikëve më të vjetër, ndonëse me kërkesa strikte
shkencore, paraqiten të pamjaftueshme e të mangëta. Duke pasur parasysh këto rrethana
dhe duke qenë të grumbulluar pranë Arkivit Qendror Shtetëror thuajse të gjithë kodikët e
Beratit, të Vlorës e të viseve të tjera të vendit, që përbëjnë thesarin dorëshkrimor të Shqipërisë;
duke pasur parasysh katalogët e botuar nga Aleksudhi, Batiffoli e të tjerë, morëm përsipër të
punojmë një katalog më të plotë të kodikëve tanë, duke shenjuar në skedën/pasaportën e
secilit karakteristikat kryesore identifikuese, sa më të plota të jetë e mundur, që nga studimi i
tyre të mund të nxirren të dhëna me interes të veçantë për historinë e kulturës sonë mesjetare,
të hershme e më të vonë, periudha historike për të cilat burimet arkivore paraqiten fare të
vobekta.
Me këtë rast na duket me vend të themi dy fjalë dhe rreth historikut të këtij thesari dorëshkrimor
mesjetar të vendit tonë, i cili në pjesën më të madhe përbëhet prej kodikëve të Beratit, që
përfaqësojnë edhe mburrjen e bibliografisë mesjetare. Kjo bibliografi në kohët e vona është
pasuruar edhe me burime nga vise të tjera.
E vlen të vërejmë se disa nga kodikët që përmban lista e Batiffolit fatkeqësisht nuk ekzistojnë
më, ndër të cilët edhe një „Liturgji e Gjon Gojartit“, me shkrim korsiv prej argjendi të tretur,
shkruar mbi pergamenë të purpurt. Së bashku me „Beratinus-1“ dhe me „Kodikun e Artë të
Anthimit“, ky i fundit me shkrim prej ari, ai vlerësohej si pasuri e rrallë në listën botërore të
kodikëve krisografikë të tipit bizantin. Në atë kohë dorëshkrimet e kësaj vjetërsie dhe tipologjie
nuk arrinin një duzinë ekzemplarësh. Kjo listë e vogël e kodikëve krisografikë që gjenden
nëpër bibliotekat e mëdha të botës dihet që edhe sot nuk e ka rritur numrin e ekzemplarëve.
Një dorëshkrim tjetër i çmuar shumë nga Batiffoli është „Diptiku i kishës së shën Gjergjit“ në
kalanë e Beratit. Sipas Batiffolit, ai “ka qenë i çmuar shumë lart“ për vjetërsinë dhe bukurinë
e tij. Fatkeqësisht ky kodik, gjithashtu, nuk ruhet më në koleksionin e kodikëve që arritën deri
në kohët moderne. Siç dihet, në këtë dorëshkrim gjendej një shënim që bënte fjalë për një
episod në lidhje me mbrojtjen e thesarit dorëshkrimor të Beratit. Aty përmendet një figurë e
shquar në Berat, me emrin Skuripeqi. Këtë emër e gjejmë të përmendet edhe në Kodikun e
2-të të Beratit, fleta 44 e 45. Në shenjim thuhet se „Skurikeqi, bashkë me zonjën (me të
shoqen) konteshë“ dhe të birin Fotinoin, si besimtarë të krishterë të kishës së shën Gjergjit
në Berat, në vitin 1356, kur ushtritë serbe do të sulmonin qytetin, i cili ishte braktisur nga
popullata sepse nuk ishte në gjendje të mbrohej, me lutjen e murgut Theodhul, mori përsipër
mbrojtjen e thesareve të kishave dhe së bashku me kallogjerin ngritën “të 27 dorëshkrimet e
çmueshme që kishte manastiri i Theologut dhe kisha e shën Gjergjit“, të dy në kala të Beratit.
Në këto dorëshkrime përfshihej edhe Beratinus-1. Dorëshkrimet u fshehën në një kullë të
kalasë. Lista e këtyre dorëshkrimeve dhe e objekteve të tjera të çmueshme që u fshehën në
kullë është botuar në fletët e fundit të librit të Batiffolit. Nga këto dorëshkrime që përmenden
në atë listë ka një numër të madh që nuk ruhen më.
Me gjithë dëmtimet e shumta që kanë ardhur nga rrebeshet e luftërave, Berati edhe sot
mbetet një dëshmi e gjallë e një qendre të pasur kulturore mesjetare, me arkitekturën
monumentale të kultit, me veprën e kulturës murale e të kavaletit (ikona), që stolisin nga
brenda monumentet. Në Berat ishte zhvilluar qysh herët një traditë e pasur në fushën e
arteve të vogla të aplikuara, të artizanatit, të argjendarisë, që dëshmohet me vepra arti prej
shekullit të 13-të e deri në ditët tona, me vepra arti të skalitjes së drurit, të qëndisjes me fije ari
dhe argjendi etj. Duke qenë në kushte të tilla, Berati u bë qendër e një tradite artistike me
tipare pak a shumë të kristalizuara 2.
Interesante dhe me rëndësi të dorës së parë janë të dhënat nga studimi i paleografisë së
këtyre dorëshkrimeve, si monumente më të lashta të historisë së shkrimit në vendin tonë
dhe në një shkallë më të gjerë.
Kodiku ynë më i vjetër „Beratinus“ përmban 190 fletë pergamene të ngjyrosura me të kuq të
thellë (purpur), që sot për fat të keq paraqitet shumë e zbehtë. Eshtë shkruar me germa prej
argjendi të tretur, me përjashtim të disa faqeve, ku disa fjalë janë shkruar me ar. Germat janë
të tipit kuadrat, të mëdha. Shkrimi është i vazhdueshëm, pa ndarje të fjalëve. Formati i fletëve
është 314 x 268 mm. Nga analizat që u janë bërë germave dhe nga krahasimi që shkencëtarët
kanë bërë me tekset e pakta të ruajtura të këtij tipi, është konkluduar që ky kodik i purpurt i
Beratit I takon shekullit të 6-të.
Kodiku i dytë i Beratit, që njihet në shkencë me emrin “Codex Aureus Anthimi” (Kodiku i artë
i Anthimit), i quajtur kështu sipas emrit të peshkopit të mitropolisë së Beratit në shekullin e 19-
të, është shkruar mbi pergamenë, me germa ari të tretur dhe përbën një gjë të rrallë në
përgjithësi. Ky kod paraqitet me vëllim më të madh nga ai i pari, me 413 fletë me format 24 x
19 cm dhe është shkruar me germa të një tipi shumë më të vonë nga ai me germa të
rrumbullakëta.
Që populli ynë e njihte mirë vlerën e thesareve dorëshkrime të lashtësisë së vet dhe që dinte
t’i mbronte me çdo sakrificë, kjo dëshmohet edhe gjatë kohëve të reja. Gjatë Luftës së Dytë
Botërore, kur ushtritë naziste ishin në Berat, kërkuan nga këshilli kishtar i qytetit të dorëzoheshin
kodikët më të vjetër të vendit, por priftërinjtë e këshillit/sinodit rezistuan, duke rrezikuar jetën
e tyre para nazistëve, dhe nuk i treguan ku i kishin fshehur.
Pas luftës, kur u regjistrua dhe u identifikua thesari trashëgimor i vendit, në të cilin bënin
pjesë dhe dorëshkrimet kishtare mesjetare, nga punonjësit e shkencës me shqetësim të
madh u konstatua se mungonin dy kodikë shumë të moçëm, që përbënin vlerat më të
rëndësishme të këtyre dorëshkrimeve. Mungonte Beratinus-1, më i vlefshmi dhe më i
rëndësishmi, i lashtësisë paleokristiane, me shkrim argjendi; si dhe tjetri, Beratinus-2, me
shkrim ari, që qe quajtur „Kodiku i Anthimit“. Për ekzistencën e këtyre kodikëve kishte të
dhëna të sigurta deri në pragun e mbarimit të luftës. Siç u mësua më vonë në Berat, kodikët
në fjalë kanë qenë fshehur me qëllim të mirë, për t’u shpëtuar rreziqeve të luftës. Fatkeqësisht,
kur u zbuluan, të dy kodet u gjendën në gjendje aq të dëmtuar, sa që mendohej se do të ishte
i pamundur restaurimi i tyre. Por kujdesi që u tregua, me marrjen e masave të duhura për
restaurim, dha mundësi rikthimin në jetë të këtyre monumenteve tona me kaq rëndësi.
Meritë e çmuar për restaurimin e këtyre kodikëve i përket Institutit të Arkeologjisë të Kinës;
shkencëtarëve kinezë, të cilët, edhe në këtë rast, kanë treguar zotësi dhe kompetecën që
karakterizojnë shkencën e këtij vendi. Si u restauruan, kodikët u kthyen në atdhe dhe u vendosën
pranë Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë.
Gjatë Mesjetës, deri në gjysmën e shekullit të 15-të, kur u shpik shtypshkronja, dihet që librat
janë prodhuar me dorë, mbi papirus ose pergamenë. Në Bizant, prej shekullit të 13-të,
shkruheshin edhe në letër. Duke pasur parasysh faktin që gjatë kësaj etape historike vendi
ynë ishte i krishterë dhe i mbushur me faltore të krishtera, kuptohet që ato faltore duhet të
kenë qenë të pajisura me biblioteka për nevojat e kultit dhe për komunikim administrativ të
tyre. Meqenëse për nevojat që u përmendën literatura e asaj kohe duhej të ishte me mijëra
vëllime, mund të përfundohet se ato nuk mund të importoheshin nga jashtë, përveç rasteve
të rralla. Këto dorëshkrime janë riprodhuar në atelietë e qendrave tona dhe prej njerëzve
tanë, siç dëshmohet nga të dhënat e kodikëve të ruajtur deri më sot.
Të dhënat që flasin për riprodhimin e dorëshkrimeve kishtare në vendin tonë dhe prej njerëzve
shqiptarë janë të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Në një fletë të Kodikut të 50-të të Beratit
gjendet shënimi autograf i riprodhuesit, ku thuhet: “U shkrua dhe u përfundua ky psalltir me
shpenzimet e zotit Maksim, i cili ia dhuroi atë Manastirit të shën Mërisë në Vriazezis… U
shkruajt me dorën time, të të përvuajturit Theodhor, logothet (sekretar) i Beratit pranë Theodhor
Muzakës, në vitin 1411“.
Kisha e shën Mërisë dhe manastiri mesjetar në fshatin Vërri ruhen dhe sot në Myzeqe, në jug
të fshatit Bubullimë. Emrin e riprodhuesit, të sekretar Theodhorit, e gjejmë edhe në një shënim
tjetër të gjatë në një fletë pergameni, që i është lidhur në fund Kodikut të 24-t të Beratit. Kjo
fletë paraqitet e grisur keq në drejtim gjatësor, duke e vështirësuar gati krejt leximin e shënimit.
Nga fjalët e mbetura të këtij shënimi lexohet qartë: “U shkrua nga Theodhor gramatia (sekretari)
dhe … iu dha Gjergjit të madh, në vitin 1438“.
Kodiku në të cilin ka qenë futur kjo fletë me shënimin e mësipërm i atribuohet afërsisht fundit
të shekullit të 12-të dhe fillimit të shekullit të 13-të. Prandaj, sekretar Theodhori i këtij shënimi,
ka shumë mundësi të jetë i njëjti person që ka lënë edhe autoshkrimin si riprodhues i kodikut
të 50-të. Në të dy shënimet korrespondojnë emri i kopjuesit, Theodhorit; titulli i tij si sekretar;
vendi ku gjenden kodikët dhe afërsisht koha e shkrimit, me një diferencë prej 27 vjetësh. Sa
për fjalët “… iu dha Gjergjit të madh“, jemi të mendimit se pas këtij emri duhet kuptuar Gjergj
Arianiti. Këto fjalë nuk mund t’i referohen Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili në vitin 1438 ende
nuk ishte i dëgjuar në Shqipëri.
Në fletën 292 verso të Kodikut të 51-të të Beratit, në dy shënime autografe të riprodhuesit,
lexohen fjalët: “Ky libër është i kishës së shën Mërisë dhe gjendet në manastirin e Vangjelistës…
E shkrova unë, jeromonak Simeoni, në vitin 1425.
Kisha e shën Mërisë ruhet edhe sot në lagjen Kala të Beratit, në muret rrethuese të ishmanastirit
mesjetar. Ka shumë mundësi që dhe jeromonak Simeoni të ketë qenë një nga
murgjit e atij manastiri.
Në fletën 204 recto të Kodikut të 52-të të Beratit, në shënimin ktitorial (porositës), ndër të tjera
lexojmë: “U shkruajt ka minej me shpenzimet e zotit Leu, legjistator i qytetit të Berat; ai ia
dhuroi minejn manastirit të shën Mitrit, që e ndërtoi prej themeli në qytetin e Beratit… U shkrua
në vitin 1429”. Edhe kisha e ish-manastirit të shën Mitrit ruhet ende në kala të Beratit.
Në këto shënime autografe të pakontestueshme të autorëve të kodikëve të Beratit rezulton
se dorëshkrimet e këtij qyteti janë të murgjëve tanë dhe të shkruara nga skriptorë (shkrues)
vendës. Një punishte (shkollë) për dorëshkrime ungillore ka shumë mundësi të ketë qenë në
manastirin e Ungjillizimit (Vangjelistës).
Këto të dhëna autografe, që kanë mundur të shpëtojnë nga rrebeshet shumë të vështira
gjatë shekujve të Mesjetës, dëshmojnë më së miri, gjithashtu, për vazhdimësinë e traditës
së riprodhimit të dorëshkrimeve ungjillore të vendit tonë dhe prej njerëzve tanë deri vonë,
edhe në periudhën osmane.
Si dëshmi të traditës së riprodhimit të dorëshkrimeve në Berat dhe në vise të tjera të vendit,
përveç të dhënave të drejtpërdrejta nga kodikët, që u radhitën më sipër, ka edhe të tjera, të
cilat në mënyrë të tërthortë dëshmojnë për vazhdën e asaj tradite kulturore të vendit tonë.
Për këtë traditë flasin stoqet e mëdha të dorëshkrimeve që kanë pasur kishat e Beratit, si dhe
qendra të tjera kulturore mesjetare të vendit, të cilat i gjejmë të regjistruara në inventarët e
thesareve të kishave, siç gjejmë të dhëna edhe për vetë kodikët që kanë shpëtuar deri më
sot. Veç këtyre, për stoqe kodesh të tjera, që kanë pasë ekzistuar deri në ditët tona dhe që
janë zhdukur tani vonë nga rrebeshet e luftërave, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose
nga zjarre aksidentale, dëshmojnë njerëz që i kanë parë me sytë e vet, ose që i kanë pasur
nën mbikqyrjen e tyre dorëshkrimet.
Në faqet 126 e 127 të veprës së sipërpërmendur të Batiffolit është botuar lista e 27 kodeve të
zgjedhura si më të çmueshmit të kishës së shën Gjergjit dhe të asaj të Theologut në Berat,
të cilat i shpëtoi Skuripeqi me murgun Theodhul. Gjithashtu në Kodikun e 7-të të Vlorës, fleta
2 recto, lexojmë listën e objekteve me vlerë të kishës së Shënepremtes, ku gjenden të
regjistruar dhe 16 tituj libra në dorëshkrim, si pronë të asaj kishe.
E njohur dhe e pasur me dorëshkrime ka qenë deri nga gjysma e shekullit të 19-të biblioteka
në manastirin e shën Mërisë së Kokomesë, pranë Sarandës, ajo e ipeshkvisë së Gjirokastrës,
si dhe ajo e manastirit të shën Gjon Theologut pranë Delvinës, të cilat nuk ekzistojnë më.
Nga një tregim i voskopojarit Stefan Buzali, që ka qenë epitrop (kujdestar) në manastirin e
shën Prodhomit të Voskopojës, mësuam se gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u dogj
Voskopoja nga nazistët, u dogjën në shtëpinë e tij në Voskopojë më se 20 vëllime librash në
dorëshkrime, pronë të bibliotekës së manastirit të shën Prodhomit të Voskopojës.
Këtu e shohim me vend të vëmë në dukje ngjarjen fatkeqe që u ndodhi dy kodikëve më të
vjetër e më të vlefshëm të thesarit dorëshkrimor të vendit tonë gjatë dhe pas Luftës së Dytë
Botërore.
Gjithashtu dihet për dëmin e madh të shkaktuar nga një zjarr aksidental që ra në manastirin
e Ardenicës, në Myzeqe, më 1924, i cili, përveç thesareve shumë të tjera të çmueshme, dogji
dhe mjaft libra dorëshkrime mesjetare, të cilat i kanë parë njerëz që rrojnë edhe sot.
Para Luftës së Dytë Botërore, edhe nëpër manastiret tanë të vegjël, ose kisha fshatrash, si
në katedralen e Elbasanit, në kishën qendrore të Ziçishtit (Korçë) etj. gjendeshin nga një ose
më tepër libra në dorëshkrim, siç na kanë treguar njerëz që i kanë parë me sy, të cilat sot nuk
gjenden më.
Duke u mbështetur në të dhënat që u radhitën më sipër dhe në të tjera që nuk po i radhisim,
del qartë se Shqipëria gjatë periudhës historike bizantine, si dhe gjatë periudhës osmane, ka
pasë qenë e pasur në biblioteka me dorëshkrime, por, për shkak të rrethanave shumë të
vështira gjatë rrebesheve të luftërave, nga ajo pasuri e thesarit dorëshkrimor vetëm një pakicë
ka mundur të shkojë deri në ditët tona dhe këto më tepër në kishat e Beratit dhe në rezidencën
ipeshkvnore të atij qyteti.
Ekzistenca e një pasurie kaq të madhe dorëshkrimesh në vendin tonë gjatë mesjetës dëshmon
në mënyrë të tërthortë se këto duhet të jenë riprodhuar në vend dhe kurrsesi të kenë ardhur
nga jashtë. Nuk ekskludohet që ndonjë kodik të jetë blerë e sjellë nga jashtë, siç dëshmohet
nga të dhënat e disa dorëshkrimeve, sidomos gjatë shekullit të 17-të, gjë që korrespondon
me kohën e kufizimeve që pati krishtërimi për shkak të fesë zyrtare të ish-Perandorisë
Osmane.
Përveç Kodikut të Purpurt të Beratiit, shkrimi i të cilit është prej argjendi të shkrirë mbi
pergamenë të purpurt, që sot paraqitet shumë e zbehtë dhe atij që mban emrin e Anthimit,
shkruar me germa ari të shkrirë mbi pergamenë të pangjyrosur2, kodikët e tjerë prej pergamene
e letre janë shkruar me ngjyrë kafe të zakonshme.
Të gjithë kodikët agjiografikë të këtij katalogu, përveç dy dorëshkrimeve laike të vona të shekullit
të 18-të, sipas përmbajtjes së tyre mund të ndahen në tre grupe:
1. Grupi i kodikëve biblikë;
2. Grupi i kodikëve liturgjikë;
3. Grupi i kodikëve agjigrafikë.
Në grupin e kodikëve biblikë përfshihen dorëshkrime të Dhjatës së Vjetër, nga të cilët sot
ruhen 3 ekzemplarë (psaltirë), dhe libra dorëshkrime nga Dhjata e Re, që numërohen 10
vëllime katërungjijsh 3.
Nga kodikët dorëshkrimorë mesjetarë, që janë gjetur dhe sot dhe ruhen pranë Arkivit Qendror
të Shtetit, gjithsej mbërrijnë në 100 copë, nga të cilët 92 vëllime të riprodhuar gjatë periudhës
paraosmane, deri në shekullin e 15-të; si dhe 15 të tjerë të kohës së sundimit osman, që
shkojnë deri në shekullin e 18-të.
Nga këto, dorëshkrime të shkruara në pergamenë janë 35 vëllime, që shkojnë deri në shekullin
e 14-të, kurse 26 të tjerë janë të shkruajtur në letër dhe shkojnë prej gjysmës së dytë të
shekullit të 13-të deri në dekadat e para të shekullit të 14-të. Periudhës pas okupacionit osman
i takojnë 15 libra dorëshkrime në letër, që arrijnë deri në shekullin e 18-të.
Nga kodikët tanë të shkruar në pergamenë, një pjesë janë prej pergamene të kualitetit të
parë, ngjyrë të bardhë; të tjerët janë në ngjyrë të fildishtë, shumica pergamenë e kualitetit të
dytë e të tretë. Kurse dorëshkrimet në letër, ato të shekullit të 13-të (dy vëllime) dhe ato të
fillimit të shekullit të 14-të, janë prej letre të trashë, që vjen si në të verdhë, kurse ato të fundit
të shekullit të 14-të dhe sidomos ato të shekullit të 15-të e më të vonët, janë prej një letre
shumë më të hollë e më të bardhë.
Duke qenë se kodikët tanë janë shkruar gjatë shekujve të Mesjetës, duke filluar prej më të
hershmëve e deri te më të vonët, edhe paleografia e tyre ndryshon sipas shekujve kur ata
janë riprodhuar.
Kodiku ynë më i vjetër, “Beratinus”, është shkruar me shkrim të vazhdueshëm pa ndarje
midis fjalëve. Germat i ka të tipit kuadrat, kapitale të tipit të vjetër të përzier, domethënë me të
mëdha biblike. Formati i fletës është 314 x 268 mm. Të dhëna më të hollësishme rreth
karakteristikave të këtij kodiku me shumë rëndësi të literaturës paleokristiane janë dhënë tek
botimi i Batiffolit.
Me rastin e kërkimeve tona, një tjetër kodik zbulohet në Berat, me shkrim të vazhdueshëm,
pa ndarje midis fjalëve. Gërmat i ka kapitale 4.
Teksti i kodikut është me dy kolona për faqe, me 25 rreshta për kolonë, me shkrim të
vazhdueshëm, pa ndarje midis fjalëve, fjalët pa thekse e pnevma (pauza), por nganjëherë në
ndonjë germë të disa fjalëve ka nga tri pika. Nëpër tekst hasen shumë fjalë të shkurtuara, si
p.sh. ANO, KC, CTPON etj. Disa germa dalin nga madhësia e rreshtit si epsilon, zeta, rota.
Grafia është në ngjyrë kafe. Gjatë tekstit fjalitë ndahen njëra nga tjetra me anë të kryqeve.
Kodiku ruan vetëm dy vinjeta formë kuadrati të stolisura me motive gjeometrike dhe shpesh
të stilizuara. Teksti, përveç inicialeve të stilizuara, që arrijnë madhësinë e dy rreshtave, ka
dhe shumë iniciale të mëdha të pikturuara jashtë kolonës së tekstit, me madhësi deri në 5
cm, të stolisura këto me ngjyrë kafe dhe ar të ndritshëm.
Për këto karakteristika dhe për faktin se grafia e kodikut paraqitet më e ngushtë nga ajo e
„Beratinus-it“, germat më të vogla dhe lartësia e tyre më e vogël, duke munguar ajo kaligrafi
e kodikëve paleokristianë; veç kësaj, duke u mbështetur edhe në motivet e vona të vinjetave
dhe të inicialeve të stolisura, të gjitha këto na bindin që kodiku në fjalë nuk mund të jetë më i
hershëm se ai i gjysmës së parë të shekullit të 9-të dhe jo më i vonë se fundi i këtij shekulli.
Kjo edhe për faktin se në këtë shekull mbaron shkrimi i kodeve me germa kapitale dhe fillon
shkrimi me germa korsive me bishta.
Shënime të redaksisë:
1. Teksti botohet sipas origjinalit që ruhet në AQSH, me disa redaktime. Punimi ishte përgatitur për të
shërbyer si mjet informimi për studiuesit, si hyrje e katalogut të kodikëve mesjetarë të Shqipërisë.
2. Një vlerësim analogjik është bërë për zhvillimin e mjeshtërive artistike në Berat, në Mesjetë, nga
prof. Aleks Buda, në artikullin e botuar në vitin 1971, që ribotohet në këtë vepër.
3. Ndyshe nga mendimi i autorit, në listat ndërkombëtare të letërsisë ungjillore të shkruar në pergamenë
të purpurt gjendet edhe Beratinus-2.
4. Këtë kodik autori nuk e ka identifikuar në „Katalogun …“ e përgatitur prej tij. Studiuesi britanik
Roderic L. Mullen ka bërë krahasime të një fragmenti kodiku me shkrimin e Beratinus-1.