DREJTSHKRIMI I GJUHËS SHQIPE

Ky është artikulli për drejtshkrimin e gjuhës, për të shfletuar librin me rregullat klikoni këtu, nëse doni ta shkarkoni si libër në format pdf klikoni këtu✤ Tërësia e rregullave për të shkruar drejt fjalët dhe trajtat e tyre në gjuhën letrare shqipe. Ndër to përfshihen edhe rregullat për shkrimin e fjalëve njësh, ndaras dhe me vijë në mes, për përdorimin e shkronjave të mëdha dhe për ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit.

Puna për Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe ka filluar që nga autorët e vjetër, por përpjekjet kryesore për të vendosur një drejtshkrim të vetëm janë bërë që nga Rilindja Kombëtare e sidomos pas njësimit të alfabetit në Kongresin e Manastirit (1908, shih), ku u vendos që pas dy vjetësh të mbahej edhe një kongres tjetër për drejtshkrimin. Për arsye të rrethanave historike ky kongres nuk u mbajt. Pjesërisht detyrën e tij e kreu Komisia Letrare e Shkodrës (1916-1918, shih). Përpjekje të reja për njësimin e mëtejshëm e përfundimtar të drejtshkrimit u bënë vetëm pas Çlirimit. Komisione të posaçme të Institutit të Shkencave nën drejtimin e Aleksandër Xhuvanit përpunuan disa projekte të drejtshkrimit (1948, 1951, 1953, 1956), duke çuar përpara hap pas hapi njësimin e rregullave, në pajtim edhe me diskutimet e zhvilluara rreth këtij problemi në dy konferencat kombëtare për gjuhën letrare shqipe (1952) dhe veçanërisht në Konferencën e Ortografisë (1953).

Përpjekje të dobishme për njësimin dhe përcaktimin e drejtshkrimit janë bërë gjatë kësaj periudhe edhe në Kosovë. Në periudhën 1956-1967 punoi për zgjidhjen e problemit të drejtshkrimit mbi baza më të shëndosha shkencore një komision i posaçëm në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë të UT. Më 1967 u botua nga ky Institut projekti i ri «Rregullat e drejtshkrimit të shqipes», ku pasqyrohej zhvillimi e njësimi i mëtejshëm i shqipes letrare dhe zhvillimi i trajtimit teorik të problemit të gjuhës letrare kombëtare nga gjuhësia shqiptare. Ky Projekt u vu menjëherë në zbatim në RPS të Shqipërisë, po ashtu edhe në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi pas Konsultës gjuhësore të Prishtinës (1968). Rreth tij u zhvillua një diskutim i gjerë publik gjatë pesë vjetëve. Ky Projekt shërbeu si bazë diskutimi në Kongresin e Dreftshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972 shih). Rregullat e sotme drejtshkrimore të shqipes, të përmbledhura në veprën «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» (1973) u hartuan përfundimisht në bazë të vendimeve e të orientimeve të Kongresit. Në këto rregulla është synuar për zgjidhje sa më sistemore, të eilat kanë lehtësuar procesin e njësimit përfundimtar të normës letrare edhe në rrafshe të tjera të gjuhës. Rregullat e drejtshkrjmit janë parë këtu jo vetëm brenda sistemit të tyre tërësor, por edhe në lidhje të ngushtë me sistemin fonetik, gramatikor, fjalëformues e leksikor të gjuhës letrare kombëtare shqipe në përgjithësi. Më 1976 në bazë të tyre u botua Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe.

D. i Gj. Sh. mbështetet kryesisht në parimin fonetik: pjesa më e madhe e fjalëve dhe e trajtave të tyre shkruhen ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar. Krahas kësaj, në një varg rastesh rregullat mbështeten edhe në parimin morfologjik, i cili siguron që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore që mund të pësojnë gjatë shqiptimit në kushte të caktuara fonetike (p. sh. iu afrua: ruhet në shkrim trajta e shkurtër i, ndonëse shqiptohet si j, ju afrua). Në disa raste të rralla zbatohet edhe parimi etimologjik e historik-tradicional. Njësimi i D. të GJ.Sh. letrare është pjesë përbërëse e njësimit të përgjithshëm të gjuhës letrare kombëtare të përbashkët të popullit tonë, një fitore me rëndësi historike që u arrit në epokën e ndërtimit të soeializmit.

(E. La.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Drejtshkrimi I Gjuhës Shqipe

[cite]