DREJTSHQIPTIMI I GJUHËS SHQIPE


DREJTSHQIPTIMI I GJUHËS SHQIPE
✤ Tërësia e rregullave të shqiptimit, që janë pranuar si normative, të drejta në gjuhën letrare. Ato sigurojnë shqiptim të njëjtë për të gjithë ata që flasin shqipen letrare.

Shqiptimi i njësuar letrar ndikon edhe për njësimin e rregullave të drejtshkrimit. Rregullat e drejtshqiptimit synojnë të mënjanojnë nga gjuha e folur letrare veçoritë dialektore dhe individuale, prandaj përbëjnë një nga anët e rëndësishme të kulturës së të folurit.

Normat e drejtshqiptimit të shqipes janë përvijuar dalëngadalë gjatë procesit të formimit të gjuhës letrare kombëtare të përbashkët. Drejishkrimi i gjuhës shqipe (1973, shih) u mbështet në shqiptimin letrar, por njëkohësishtndihmoi e ndihmon për njësimin e tij të mëtejshëm, sepse parimi i tij themelor është parimi fonetik. Për njësimin, ngulitjen e përhapjen e shqiptimit letrar kanë luajtur një rol vendimtar sidomos ndryshimet rrënjësore politike, ekonomike e kulturore që u bënë në vendin tonë pas Çlirimit. Karakteri shoqëror i prodhimit, forcimi i lidhjeve ekonomike dhe kulturore ndërmjet krahinave, hapja e rrugëve të reja, zhvillimi i qyteteve dhe i qendrave industriale me popullsi të përzier, zhvillimi i arsimit të të gjitha shkallëve, radiotelevizioni, teatri, kinematografia, ishin faktorët kryesorë që ndihmuan për rrafshimin e dallimeve shqiptimore në gjuhën letrare të folur.

Normat e shqipes letrare të folur kanë fituar karakter gjithëkombëtar, d.m.th. nuk përputhen me bazën dialektore të asnjërit dialekt. Ato mbështeten në radhë të parë me elementet e përbashkëta të sistemit fonetik të të dy dialekteve kryesore. Nga elementet e veçanta të të dy dialekteve në këto norma bien në sy disa tipare të shqiptimit jugor, siç janë mungesa e hundorësisë së zanoreve, ë-ja e theksuar, togu zanor ua, rotacizmi në një kategori fjalësh, shqiptimi i plotë i grupeve të bashkëtingëlloreve mb, ndërsa nga dialekti verior togu zanor ue, mosshurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme në fund të fjalës, j e jo nj në mbaresat foljore e në formimet në bazë të tyre, zhvendosja e theksit nga rrokja fundore në atë parafundore në fjalë si perde, shishe, basmë etj. Rëndësia e normave të njësuara të shqiptimit rritet krahas rritjes së rolit të gjuhës letrare kombëtare në jetën shoqërore.

Vatra themelore e përpunimit dhe e përhapjes së shqiptimit letrar te ne është bërë kryeqyteti me popullsi. prej rrethesh të ndryshme, qendra më e rëndësishme politike, ekonomike, arsimore, kulturore e shkencore e vendit.

(A. D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Drejtshqiptimi I Gjuhës Shqipe


[cite]