DRINO
✤ Lumë, dega më e madhe e Vjosës, që shtrihet në rrethet e Gjirokastrës e të Tepelenës, ka gjatësinë 84.6 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 1324 kmz, lartësinë mesatare 746 m dhe rënie 5 m/km. Buron në Greqi në perëndim të malit Elatos dhe futet në territorin e RPSSH midis Radatit e Kakavies. Pjesa më e madhe e pellgut, ujëmbledhës përbëhet nga gëlqerorë, që ndërtojnë faqen lindore të Malit të Gjerë, pjesën JL të pllajës së Kurveleshit si dhe një pjesë të madhe të vargut malor të Lunxhërisë. Ultësira ndërmjet Malit të Gjerë e vargut malor të Lunxhërisë përbëhet prej flishi, me pjesën më të sipërme të mbushur me zhavorre. Ky ndërtim ka kushtëzuar një dukuri të veçantë hidrograflke: largimin e ujërave nga pellgu i D. për në atë të Bistricës. Në gëlqerorët e karstëzuar të pellgut të D. ka edhe mjaft burime karstike, si në Nepravishtë, Libohovë, Hormovë, Picar, Virua etj.

Deri në Hundëkuq D. kalon në një shtrat të gjerë, pastaj në një grykë të thellë e të ngushtë derisa derdhet në Vjosë, pak më poshtë Urës së Leklit. Nga të dy shpatet zbresin përrenj të përkohshëm, shumë gërryes, që derdhen me kone të mëdha depozitimi si përroi i Vriserasë, përroi i Suhës, i Nunicës etj. Vetëm përroi i Kardhiqit që derdhet poshtë Gjirokastrës ka ujë gjatë gjithë vitit. D. ka prurje mesatare vjetore 41.6 m3/sek të shpërndara jo rregullisht gjatë vitit, ka turbullirë jo të madhe dhe ujëra me mineralizim mesatar. Giatë viteve të pushtetit popullor është sistemuar rrjedhja e Drinos dhe e degëve të tij, janë ndërtuar argjinatura, prita malore dhe lugina e D. është kthyer në një fushë pjellore. (R. S.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Drino


[cite]