DUKAGJINËT
✤ Familje sunduese feudale e shek. XIV-XV; zotërimet e saj shtriheshin në Shqipërinë e Veriut, nga Zadrima e Sipërme deri në Ndërfandinë dhe në bashkimin e Drinit të Zi me të Bardhin; në këtë trevë u ruajt emri i zotëruesve deri në ditët tona (Krahina e Dukagjinit, Rrafshi i Dukagjinit). Burimet bashkëkohore i përshkruajnë këto vise si një krahinë të gjerë, me burra trima e të fortë, me monumente kulture, fqinjë me zotërimet e Kastriotëve. Stema e D. ishte një shqiponjë e bardhë njëkrenore. I pari pjesëtar i njohur i familjes konsiderohet një «Dik& Gjirv T anus’Ki’/. 1 -përmendui tvë fund të shek. XIII. D. u përkiste edhe qyteti i Lezhës që e humbi Tanush D. me të vëllanë më 1393. Përfaqësuesit kryesorë të D. në shek. XV ishin vëllezërit Nikollë e Pal D., dhe i biri i këtij të fundt Lekë D. Nikollë D. udhëhoqi më 1431 kryengritjen antiosmane që arriti të çlirojë për një kohë Dejën (shih). Të dy vëllezërit morën pjesë në Kuvendin e Lezhës (shih) më 1444 dhe si anëtarë të Lidhjes, në luftën e udhëhequr nga Skënderbeu kundër Venedikut më 1447-48. Pretendimet territoriale të .D. u bënë shkak konfliktesh me sundimtarët e tjerë, si më 1445 për Dejën me Lekë Zaharinë, i cili me këtë rast u vra. Përforcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut i largoi D. nga ai dhe i afroi ata herë me Venedikun (më 1456) e herë me osmanët (më 1457). Me ndihmën e këtyre Lekë D. mori kalanë e Satit, çka e detyroi Skënderbeun të ndërhynte kundër Lekës për të mënjanuar këtë pozicion të rrezikshëm prapa krahëve të tij. Paqja e qëndrueshme midis D. dhe Skënderbeut u arrit më 1463 me ndërmjetësimin e Pal Engjëllit, kryepeshkop i Durrësit. Rritja e presionit osman i detyroi D. të merrnin pjesë fuqimisht në luftë, tani që zotërimet e tyre u ndodhën drejtpërsëdrejti nën goditjet osmane. Pas vdekjes së Skënderbeut Lekë D. u bë një nga figurat kryesore udhëheqëse të luftës; ai luajti një rol të rëndësishëm në fitoren e forcave shqiptare para Krujës në shtator 1477. Rënia e kalave të fundit më 1478-79 detyroi Nikollë e Lekë D. të linin zotërimet e veta e të mërgonin në Itali, por u kthyen më 1481, pas vdekjes së Mehmetit II, si edhe sundimtarë të tjerë shqiptarë (shih Gjon Kastrioti) për të vazhduar luftën, ndonëse pa rezultat. Me emrin e Lekës lidhet Kanuni i Lekë Dukagjinit (shih), i cili përmbledh normat juridike që rregullonin marrëdhëniet në shoqërinë malësore. Pasardhësit e një dege tjetër, që ishin rritur në oborrin e sulltanit bënë atje karrierë, siç qenë Veziri Dukagjinzade Mehmet dhe Dukagjinzade Jahjabej dhe Ali Bej, këta të fundit poetë të rëndësishëm të letërsisë turke që ruajtën në veprat e veta kujtimin e prejardhjes së tyre. (A. Bu.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Dukagjinët
[cite]