E ARDHURA NETO E NDËRMARRJES
✤ Pjesë e së ardhurës neto të shoqërisë, që krijohet në ndërmarrjet e sektorit shtetëror socialist të ekonomisë, e cila pjesërisht i lihet në përdorim ndërmarrjes për nevojat e brendshme të parashikuara në plan dhe pjesërisht derdhet në buxhetin e shtetit, në afate të caktuara. Si kategori ekonomike e socializmit, e A.N. e Nd. shpreh marrëdhënie financiare socialiste ndërmjet punonjësve dhe shtetit, si përfaqësues i shoqërisë. Nga pikëpamja praktike ajo shpreh diferencën ndërmjet arkëtimeve nga shitja e produkteve, mallrave e shërbimeve të llogaritura ‘me çmimin me shumicë pa të ardhurën neto të centralizuar (shih) dhe kostos së plotë të tyre.
E A.N. e Nd. përbën edhe njërin nga burimet e rëndësishme të të ardhurave të buxhetit të shtetit. Madhësia e së A.N. të Nd. varet nga vëllimi i prodhimit dhe i shitjes, nga struktura e asortimentit, nga cilësia, nga niveli i kostos për njësi dhe i çmimit të shitjes me shumicë pa të ardhurën neto të centralizuar. Ajo përdoret në mënyrë të planifikuar për nevojat e riprodhimit të zgjeruar, për nevoja shoqërore-kulturore të parashikuara në planin financiar të ndërmarrjes dhe teprica e lirë derdhet në buxhet, sipas procedurës dhe afateve të caktuara. E A.N. e Nd. shërben edhe si mjet në duart e shtetit socialist për drejtimin e planifikuar të ekonomisë dhe për kontrollin me anë të lekut mbi veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjes.
(F.I.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – E Ardhura Neto E Ndërmarrjes