E DREJTA ZAKONORE SHQIPTARE


E DREJTA ZAKONORE SHQIPTARE
✤ Tërësia e normave të pashkruara, të transmetuara brez pas brezi, që kanë rregulluar marrëdhëniet shoqërore në një varg krahinash të Shqipërisë. Është dukuri historiko-shoqërore që ka vepruar për shekuj me radhë kryesisht në krahinat malore të vendit. Me përforcimin e pronës private vjen duke u theksuar karakteri klasor i kësaj së drejte, duke ndryshuar vazhdimisht, por gjithnjë mbi bazën e një të drejte zakonore të vjetër, rrënjët e së cilës shtrihen thellë gjer në lashtësi. Ruajtja e së D.Z. për një kohë të gjatë e përballimi i presioneve të së drejtës së shteteve pushtuese, janë shprehje e qëndresës së popullit shqiptar për të mbrojtur qënien, gjuhën e kulturën e tij. Në të D.Z. Sh. gjenin pasqyrim disa nga tiparet themelore të psikologjisë shoqërore të popullit tonë, si: nderi. besa, burrëria, mikpritja etj. Ajo është një provë tjetër e autoktonisë dhe e individualitetit të popullit shqiptar.

Në të D.Z.Sh. ka pasur gjurmë të ndikimit të normave të së drejtave të tjera, por tërësia e saj, mbetej gjithnjë origjinale shqiptare. Mbeturina të së D.Z.Sh. vazhduan të ruhen edhe pas Çlirimit të vendit, por PPSH ka organizuar e drejtuar një luftë ballore kundër atyre zakoneve konservatore e prapanike që e pengonin ecjen tonë përpara. Sot burimi kryesor për studimin e së drejtës zakonore shqiptare është gojëdhëna popullore, nga ku janë mbledhur materiale në kanune, të cilat kanë vepruar në krahina të ndryshme të vendit tonë.

(Xh.Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – E Drejta Zakonore Shqiptare


[cite]