EDUKIMI KOMUNIST


EDUKIMI KOMUNIST
✤ Veprimtaria e gjerë e sistematike për zhvillimin e gjithanshëm të personalitetit të njeriut të ri në shoqërinë socialiste, që synon të formohen si tipare themelore të tij botëkuptimi marksist-leninist, pasuria e jetës shpirtërore, horizonti i gjerë shkencor e kulturor, virtutet morale me karakter komunist, shijet e shëndosha ideoestetike, përsosja fizike etj. E.K. niset nga idealet revolucionare komuniste dhe mbështetet në kushtet e favorshme objektive që krijohen për realizimin e tij në shoqërinë socialiste.

PPSH ka zhvilluar një punë të vijueshme e konsekuente për E.K. të të gjitha masave punonjëse e sidomos të brezave të rinj. Sh.Enver Hoxha ka theksuar: «Qëllimi i madh i Partisë është që, duke ndërtuar socializmin, të formojë dhe të farkëtojë njeriun e ri komunist, me botëkuptim të shëndoshë politik dhe teorik marksist-leninist, me etikën, guston, shijen marksiste-leniniste, me shpirtin revolucionar, sulmues, të guximshëm, krijues dhe realizues, marksist-leninist». (Vepra,V.37, fq.340-341). Shkolla socialiste dhe të gjithë organizmat shtetërorë e shoqërorë bashkëpunojnë për E.K. të brezit të ri. Në këtë veprimtari realizohen shumë komponentë të këtij edukimi: ideopolitik, mendor, politeknik, i punës, moral, estetik dhe fizik. Së bashku, ata formojnë një proces tërësor e të vetëm.

E.K. i masave punonjëse është një gërshetim organik i veprimtarisë edukative që zhvillohet me ta, me pjesëmarrjen e tyre aktive në luftën për ndërtimin e socializmit. Në këtë proces formohet qëndrimi i tyre komunist ndaj punës e pronës shoqërore, kalitet patriotizmi socialist, kultivohet psikologjia e re kolektiviste. Në të njëjtën kohë, njeriu i ri pastrohet nga mbeturinat e vjetra në vetëdije, nga ndikimet e huaja ideologjike, të brendshme e të jashtme.

(H.B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Edukimi Komunist


[cite]