Ekonomia qytetare. Shthurja e esnafeve
Në çerekun e dytë të shek. XIX, në qytetet shqiptare mbisundonte ende prodhimi i vogël i mallrave. Masën dërrmuese të popullsisë qytetare (afërsisht 76-80%) e përbënin si dhe më parë zejtarët dhe tregtarët e vegjël. Në shumicën e rasteve zejtarët ua shisnin ende konsumatorëve prodhimet e tyre pa ndërmjetësinë e tregtarëve. Çdo zejtar kishte punishten e vet të vogël. Masën më të madhe e përbënin zejtarët, të cilët kishin të angazhuar në punishten e tyre një kallfë dhe një çirak. Punishtet me dy a më tepër kallfë ishin të pakta.
Në qytetet kryesore të vendit ekzistonin pak a shumë po ato degë prodhimi që ishin zhvilluar gjatë shekujve të kaluar dhe në mënyrë të veçantë gjatë shek. XVIII. Të tilla ishin zejtaritë që merreshim me përpunimin e metaleve (armëtarë, farkëtarë, kovaçë, bakërxhinj, kazanxhinj, teneqexhinj etj.). Shkodra, Prizreni, Elbasani dhe Peja ishin gjithnjë të përmendura për prodhimin e stolive prej ari e argjendi. Një masë e konsiderueshme e zejtarëve merrej me prodhimin dhe zbukurimin e artikujve të veshmbathjes (tabakët, shajakxhinjtë, rrobaqepësit, xhokaxhinjtë, opingarët etj.). Kishte pastaj një numër të madh zejtarësh të degëve të ndryshme, të cilët prodhonin artikuj ushqimorë (furrxhinj, sheqerxhinj, gjellbërës, kafexhinj, vajxhinj) ose merreshin me përpunimin e lëndës së drurit (marangozë, tavanxhinj, sëndukxhinj, vozaxhinj, çibukxhinj, drugdhendës, qerrexhinj etj.). Dyqanet ose punishtet e zejtarëve, ishin gjithnjë të grumbulluara në një lagje më vete – në çarshi a në pazar – të veçuara nga lagjet e banuara të qytetarëve. Gjithashtu çarshitë ose pazaret ruanin akoma tiparet e mëparshme. Brenda tyre, dyqanet dhe punishtet zejtare të një dege prodhimi ishin të rreshtuara në të njëjtën rrugë.
Në vitet 30-40 qëndronin gjithnjë në këmbë organizatat esnafore të zejtarëve. Formalisht çdo esnaf e ruante ende monopolin e prodhimit të vet. Askush nuk kishte të drejtë të hapte një punishte të re zejtare pa lejen e këshillit të esnafit. Në përgjithësi, esnafët vazhdonin sipas traditës të caktonin çmimin e shitjes së artikujve që prodhonin zejtarët e tyre. Megjithatë disiplina e vjetër esnafore kishte filluar prej kohësh të shkelej. Ku më shumë e ku më pak, zejtarët nuk i respektonin më rregullat e dikurshme në lidhje me sasinë, cilësinë dhe çmimin e artikujve që prodhonin për treg. Monopoli esnafor i prodhimit kishte pësuar një goditje të rëndë dhe në një drejtim tjetër. Në disa lloje zejesh, zejtarët kishin fituar të drejtën të shisnin prodhimet e tyre edhe në viset e tjera. Madje, në disa raste, nën presionin e zejtarëve, Porta e Lartë kishte filluar ta hiqte krejtësisht monopolin esfanor për një varg prodhimesh. Qysh në vitin 1841, sulltan Abdyl Mexhiti, me një ferman perandorak drejtuar gjithë ejaleteve, hidhte poshtë lutjen e esnafit të opingarëve të zonës së Përmetit, të cilët kërkonin ta ruanin më tej monopolin e prodhimit të tyre, mbasi ky pretendim, siç thuhej në ferman, ishte në kundërshtim me sistemin e Tanzimatit.
Pasojat e zhvillimit të ekonomisë monetare ishin ndier në mënyrë të veçantë në radhët e esnafëve, të tregtarëve apo të tyxharëve, siç quheshin në atë kohë. Disiplina esnafore në gjirin e tyre ishte shthurur qysh në shek. XVIII. Reshperët e mëdhenj, të cilët kishin dalë nga radhët e borgjezisë tregtare, ishin pasuruar sidomos me veprimtarinë tregtare që zhvillonin me tregun e huaj. Rreth mesit të shek. XIX, reshperët e mëdhenj, si pronarë të kapitalit tregtar monetar, mund të mateshin, për nga fuqia ekonomike, me çifligarët e vendit. Të tillë reshperë kishte në të gjitha qytetet e rëndësishme, por masa e tyre kryesore ishte përqendruar në Shkodër, ku disa firma tregtare e vazhdonin veprimtarinë e tyre qysh nga shekulli i kaluar. Firmat e mëdha shkodrane shquheshin për rrezen e gjerë të veprimtarisë tregtare në të cilën hynin jo vetëm Shqipëria Veriore, Qendrore dhe Verilindore (Kosova), por edhe treva e Malit të Zi, madje edhe pjesa veriore e Maqedonisë. Reshperët e Shkodrës kishin agjenci tregtare në Durrës, Tiranë, Prizren, Pejë, Ulqin, Tivar, Shkup, kurse rreth 60 firma shkodrane kishin agjentë ose korrespondentë tregtarë në Trieste, prej nga ata lidheshin me tregun evropian. Në radhë të dytë vinin tregtarët e Beratit, të cilët kishin agjensi ose korrespondentë të tyre në Durrës e Vlorë, kurse jashtë vendit në Trieste, Korfuz e Maltë. Reshperët ushtronin edhe veprimtarinë kamatare dhe valutore (kambiste). Megjithatë, si kudo në Perandorinë Osmane, edhe në viset shqiptare funksionin ekonomik kryesor borgjezia reshpere e kryente si ndërmjetëse midis tregut të brendshëm dhe tregut të jashtëm, duke u varur kryesisht nga tregu i huaj.
Zhvillimi i pandërprerë i ekonomisë monetare, i cili mori një hov të madh sidomos gjatë viteve 40 e 50, e shpejtoi ritmin e shthurjes së esnafëve. Nën nxitjen e kërkesave të qytetarëve e të fshatarëve për prodhimin e qytetit, regjimi i vjetër esnafor mori nga vetë zejtarët dhe tregtarët vendas goditjen përfundimtare. Komisionet lokale, të cilat për hir të traditës vazhdonin në çdo kaza të caktonin akoma çmimet javore të prodhimeve qytetare e fshatare, u suprimuan përfundimisht gjatë viteve 50. Më 1861 u hoq zyrtarish me dekret perandorak edhe privilegji i fundit që u kishte mbetur organizatave esnafore, e drejta e lejes për ushtrimin e zejeve, e cila tani kaloi në kompetencë të organeve shtetërore lokale. Organizatat esnafore vazhduan të ekzistonin edhe më vonë, por tani ato nuk e kryenin më funksionin ekonomik që kishin gëzuar, si institucione të rendit feudal, gjatë shekujve të kaluar. Tani esnafët morën pamjen e organizatave shoqërore dhe ndikimi tradicional, që ato ushtronin akoma mbi zejtarët dhe tregtarët, erdhi përherë e më tepër duke u dobësuar.
Si përfundim, qysh gjatë viteve 40 punishtet zejtare u kthyen në njësi ekonomike në pronësi të plotë të mjeshtrave zejtarë, të pavarura nga disiplina esnafore. Me shthurjen dhe pastaj me heqjen e esnafeve u hap përfundimisht rruga e konkurrencës së zejtarëve dhe e tregtarëve në fushën e çmimeve. Më parë në qytetet kryesore, dhe pastaj në tregjet e vogla, filloi të vepronte lirisht ligji i vlerës, lëvizja e çmimeve sipas ofertës dhe kërkesës, lufta për të ulur koston dhe për të shtuar prodhimin. Kështu në tregun shqiptar filluan dalngadalë të vepronin ligjet e ekonomisë së tregut.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare