EKSPEDITA E VUÇO PASHËS


EKSPEDITA E VUÇO PASHËS
✤ (1638). Ekspeditë ushtarake e organizuar nga sulltan Murati IV për nënshtrimin e «Maleve Shqiptare» dhe për sigurimin e kufijve veriorë të Perandorisë. Në ekspeditë u hodhën rreth 15.000 ushtarë nën komandën e Vuço pashës bejlerbeut të Bosnjës. Veprimet luftarake u zhvilluan në dimër, në muajin shkurt. Kryengritësit kelmendas, pasi siguruan fëmijët, pleqtë, gratë dhe gjënë e gjallë në vende të mbrojtura mirë, u tërhoqën dhe lejuan kalimin e ushtrisë turke nëpër lugina, pa ndërmarrë veprime luftarake. Futja e ushtrisë në thellësi përputhej me planin e kryengritësve, të cilët me shpejtësi organizuan pritat dhe mbyllën shtigjet e kalimit. E goditur në befasi në kushte shumë të vështira të motit, ushtria turke u detyrua të tërhiqej. Gjatë tërheqjes ndeshi në pritat e kryengritësve, të cilët, duke shfrytëzuar terrenin malor të pakalueshëm dhe duke përdorur me mjeshtëri mjetet rrethanore, arritën t’i ngujojnë dhe t’i asgjësojnë forcat e Vuço pashës, i cili u vra nga malësorja trime Nora e Kelmendit (shih). (E.S.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ekspedita E Vuço Pashës


[cite]