Elefteri

(greqisht: Ελευθέριος) Elefteri (+120) ka qenë episkop i Vlorës dhe i Ilirisë nga fillimi i shek. II pas Krishtit. Ai ka lindur në Romë dhe rridhte nga një familje fisnike e pasur. I ati qe bashkëpuntor i ngushtë i senatorit, ndërsa e ëma, Anthia, ishte grua shpresëtare. Me detyrën e formimit dhe të edukimit të Elefeterit u mor e ëma, sepse i ati i vdiq shpejt duke e lënë jetim. Elefteri që në vogëli shquhej për thjeshtësinë, pastërtinë e karakterit dhe sidomos për dëshirën e zjarrtë për t’i shërbyer Perëndisë. Kur djali u rrit, e ëma ia dha episkopit të atëhershëm që ta kishte në kujdesin atëror. Episkopi i Romës, duke vënë re cilësitë e Elefterit të ri, e renditi në rreshtat e klerit duke e hirotonisur së pari dhjak, pastaj prift e më vonë episkop. Pasi e hirotonisi episkop, e dërgoi për të lëçitur ungjillin në krahinën e Vlorës. Episkop Elefteri, sapo arriti në dioqezën e tij, nisi menjëherë misionin e tij për përhapjen e ungjillit në fiset pagane të këtyre anëve. Cilësitë e tij të shumta, çuditë që bënte dhe kthimet me shumicë në krishterim të paganëve shkaktuan urrejtjen dhe zëmërimin e perandorit romak Adrian, i cili shpalli një përndjekje të rreptë kundër të krishterëve dhe urdhëroi arrestimin dhe sjelljen në Romë të episkopit të Vlorës dhe Ilirisë Elefterit. Adriani u përpoq ta bindte me premtime të ndryshme që të mohonte Krishtin, por Elefteri qëndroi i patundur në besim. Më në fund i prenë kryet me shpatë në stadiumin e Romës. Po atë ditë i prenë kokën me shpatë edhe nënës së tij, Anthisë. Besimtarët nga Iliria që u ndodhën në Romë gjatë ekzekutimit, morën me shprestari trupin e Elefterit dhe atë të nënës së tij dhe i sollën në Vlorë ku i varrosën me nderime. Shën Elefteri është mbrojtësi i grave shtatzëna, zbut dhimbjet dhe lehtëson lindjen, gjithashtu ai është mbrojtës i të burgosurve dhe çliruesi i njerëzve nga kurthet e djallit. Kisha ortodokse kujtimin e Elefterit e nderon më 15 dhjetor.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Jetë shenjtorësh 1, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 1996, faqe 3- 8.
2-Jeta e shenjtorëve në Kishën Orthodhokse, Kryqi i Nderuar, Selanik 1996, faqe 252-258.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]