Epitafi i Gllavenicës

Epitafi i Gllavenicës

Epitafi i Gllavenicës daton në vitin 1373 dhe përbën një objekt me rëndësi të veçantë si dëshmi e krishterimit të hershëm në trojet shqiptare. Ky epitaf është zbuluar në qilarin e një shtëpie të rrënuar në afërsi të Ballshit. Gjatësia e epitafit është 211 cm, aq sa gjatësia e një varri të zakonshëm, ndërsa gjerësia 114 cm. Epitafi i Gllavenicës është i qëndisur me fije ari në mëndafsh të butë nga dora e murgut Savia me porosi të Gjergj Arianitit. Sipas teologut Theofan Popa, i cili ka qenë i pari që ka përkthyer tekstin e epitafit kemi: “U plotësua (qëndis) ky aeras (epitaf) i gjithnderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjlindëses së patundur, me shpenzimin dhe mundimin e peshkopit të gjithhirshëm Kalistit të Gllavenicës dhe Beratit, në muajin mars 22, viti 6881(=1373). Ky mbishkrim gjendet i qëndisur me ar dhe argjend në dy shtylla, pranë kokës dhe këmbëve të Krishtit, i cili paraqitet i pajetë. Epitafi i përkiste kishës së Gllavenicës (Ballshit të sotëm) dhe në të përshkruheshin kufijtë e Principatës së Gjergj Arianitit. Moikom Zeqo thotë se emërtimi “Epitafi i Gllavenicës” nuk është i saktë. Ky emërtim ka lidhje me juridiksionin e Episkopit Kalist, pra Kalisti i Gllavenicës dhe i Beratit. Por si mbërriti ky epitaf deri në ditët tona? Historia e udhëtimit të tij zë fill që nga koha kur u qëndis nga dora e murgut Savia më 1373 për kishën e Gllavenicës, vite më vonë përfundoi në qilarin e një shtëpie në Ballsh, më pas në katedralen “Fjetja e Shën Mërisë” në kalanë e Beratit dhe në vitin 1980 përfundoi në stendat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Në vitin 1994 u vodh dhe u kthye përsëri në Muzeun Historik ku gjendet edhe sot e kësaj dite. Duke filluar që nga viti 1974 me studimin e Epitafit të Gllavenicës është marrë studiuesi Frederik Stamati. Në fillim epitafi ishte i mbuluar nga njolla dylli prej qirinjve që kishin pikuar mbi të. Në traditën ortodokse shërbesa e epitafit shoqërohet me lambadha të ndezura. Epitafi ruhet në gjendje të mirë, vetëm se nga ana e përparme ka një arnë. Me të drejtë nga studiuesi Moikom Zeqo është shtruar problemi se ende mungon studimi historik i mbishkrimit të Epitafit. Gjithashtu mungon edhe studimi kaligrafik krahasues dhe simbolik i mbishkrimit.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, faqe 85, N.90 2–Dr. Moikom Zeqo, Epitafi i Gllavenicës, emërtimi nuk është i saktë, Shekulli, 5 mars 2005, faqe 18. 3–Dr. Moikom Zeqo, Historia e një Epitafi të rrallë, Metropol, 25 shkurt 2005, faqe 22.
4-Sekretet e Epitafit të Gllavenicës, Shekulli, 6 qershor 2000, faqe 20.

Besimi — Ortodoks

[cite]