Fan Noli
shqiptar ortodoks Fan Noli (1882-1960) ka lindur më 6 janar 1882 në Adrianopojë të Turqisë. I biri i Stilianit dhe i Maries. Arsimin fillor e kreu në gjimnazin grek në Adrianopojë. Më pas vajti në Athinë ku punoi si karrocier në një tramvaj rrugësh me kuaj. Gjithashtu ai punoi si figurant dhe zëvendësues aktori në një trupë teatri. Më vonë në vitin 1906 emigroi në Amerikë dhe punoi si punëtor i thjeshtë nëpër fabrika të ndryshme. Në vitin 1912 u diplomua në Universitetin e Harvardit. Në vitin 1920 Noli kryesoi delegacionin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë dhe punoi për t’u pranuar edhe Shqipëria në Lidhje. Ky ishte edhe suksesi i tij në fushën diplomatike. Në vitin 1924 Theofani u bë Kryeministër i Shqipërisë, megjithëse ishte klerik dhe pjesa dërrmuese e popullsisë ishte e besimit mysliman. Gjatë qeverisjes ai zbatoi reformën agrare. Më pas u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 1938 u diplomua për muzikë në Universitetin e Nju Inglendit, ndërsa në vitin 1935 mori gradën doktor i shkencave filologjike në Universitetin e Bostonit. Karriera kishtare. Duke lexuar me ëndje përkthimin e Dhiatës së Re nga Kristoforidhi, Nolit i lindi dëshira për t’u bërë misionar i krishterimit. Kështu në vitin 1908 Noli u dorëzua prift nga mitropoliti rus i Nju Jorkut Platoni në katedralen e Shën Nikollës, sipas rekomandimit të Atë Aleksandër Hotovickit dhe At Jakob Grigorievit. Theofan Noli u dorëzua në gradën priftërore në moshën 26 vjeçare në këto rrethana historike. Kisha nuk kishte varrosur një shqiptar me emrin Kristo Dishnica në varrezat e Kishës së Shën Gjergjit. Ky incident ka ndodhur vërtet dhe daton më vitin 1907, por në atë kohë prift në atë kishë nuk ishte një grek, por një sirian. Ky i fundit duke parë çertifikatën e lindjes së Kristo Dishnicës, e cila thoshte “lindur në Turqi, fshati Korçë”, nuk kishte pranuar që ta varroste, sepse sipas tij ai ishte mysliman. Në atë kohë të gjitha dokumentet e shqiptarëve mbanin vulën e Perandorisë Osmane. Kristo Thimo Dishnica u varros pa asnjë ceremoni kishtare. Kjo ngjarje shkaktoi zemërimin e shqiptarëve të Masaçusetsit, të cilët vendosën që të kishin një prift shqiptar. Më datën 22 mars 1908 u celebrua liturgjia e parë në gjuhën shqipe prej Atë Theofanit në sallën e “Kalorësve të Nderit” në Boston. Liturgjia Hyjnore e përkthyer nga Atë Theofani tingëllonte shumë bukur në gjuhën shqipe dhe kuptohej nga besimtarët e pranishëm. Po atë ditë shqiptarët u mblodhën në sallën “Feniks” dhe themeluan Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston. Më 17 nëntor të vitit 1918 Atë Theofani mori ofiqin e Arkimandritit prej Episkopit Rus Aleksandrër në Katedralen e Shën Nikollës, ndërsa më 25-27 shkurt të vitit 1919 në mbledhjen e përgjithshme kleriko-laike të kolonive shqiptare të SHBA-së, Arkimandrit Theofani u propozua si kandidat për episkop. Me inisiativën e tij, më 20 korrik 1919 Kisha Ortodokse e diasporës shqiptare të Amerikës u shpall e pavarur. Më 21 nëntor 1923 në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë u bë fronëzimi i Theofanit si Mitropolit i Durrësit, prej episkopëve Kristofori dhe Jerotheu. Mitropoliti i Durrësit mbante titullin: “Mitropolit i Durrësit, Gorës dhe Shpatit, primat i gjithë Ilirisë, Detit të Perëndimit dhe gjithë Shqipërisë”. Ky titull i takonte Fortlumturisë së Tij, Kryeepiskopit të Shqipërisë Theofanit. Fan Noli ka përkthyer këto tekste liturgjike: 1-Në vitin 1908 Imzot Theofani përktheu librin liturgjik “Shërbesat e Javës së Madhe”, 103 faqe, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ky libër përmban himne dhe lexime të Javës së Madhe dhe të Pashkëve. 2-Në vitin 1909 Imzot Theofani përktheu “Shërbesa të Shenjta të Kishës Orthodhokse”, 246 faqe, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. 3-Në vitin 1911 Imzot Theofani përktheu librin liturgjik “Të kremtet e mëdha të Kishës Orthodhokse”, 318 faqe, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ky libër përmban himne dhe lexime të të kremteve kryesore. 4-Në vitin 1913 Imzot Theofani përktheu librin liturgjik “Triodi i vogël”, 270 faqe, botuar nga qeveria rumune në Bukuresht dhe përmban himne dhe lexime të Kreshmëve të dhe Pashkëve. 5-Në vitin 1914 Imzot Theofani përktheu librin liturgjik “Lutësorja”, 96 faqe, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ky libër përmban himnet e së Dielës në tetë zëra, Kanunin e Vogël dhe Kanunin e Madh të Shën Mërisë. 6-Në vitin 1914 Imzot Theofani përktheu librin liturgjik “Pesëdhjetore e vogël”, 94 faqe, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ky libër përmban himnet dhe leximet e të Dielave nga Pashkët deri te Rushajet dhe të Dielën e gjithë Shenjtorëve. Gjatë viteve 1914-1952 Theofani pasi u bëri një redaktim gjuhësor dhe pasi i plotësoi me disa urata që mungonin gjatë botimit të parë përgatiti botimin e dytë të cilin e përmblodhi në tre vëllime; 1-”Uratore e Kishës Orthodhokse”, 602 faqe, Boston 1941, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Në përkushtimin e librit lexojmë: “Të Përnderçmit At Kristo Negovanit, dëshmorit të Kishës Kombëtare, për kujtim të përjetmë”. Në parathënie Noli thekson: Ky libër përmban shërbesat kryesore të Kishës Ortodokse. Disa prej tyre botohen për herë të parë në gjuhën tonë, si mesha e Shën Basilit, Mesha e Shën Grigorit, rregulla e Meshës Peshkopale, Shërbesa e Miros, Martesa e dytë, Dorëzimet, Gradimet, dedikata e Kishës, Varrimi i Priftërinjve, Varrimi në Javën e Pashkës, Varrimi i Fëmijëve, Shërbesa e Lajnëtores dhe urata të ndryshme. Nga kjo pikëpamje ky libër plotëson një nevojë urgjente të Kishës sonë Kombëtare. 2-”Kremtorja e Kishës Orthodhokse”, 818 faqe, Boston 1947, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ky libër, sipas titullit përmban këndimet e të kremteve kryesore të palëvizura të dymbëdhjetë muajve. Në këto shtuam të dy Kanunet e Shën Mërisë, Lutësoren dhe Dielloren, domethënë Troparet e të Tetë Tingujve me Apostujt dhe Ungjijtë, që këndohen në të Dielat e zakonta të motit. Pothuajse të gjitha troparet janë hartuar sipas ritmeve dhe melodive bizantine. 3-”Triodi i vogël dhe Pesëdhjetorja”, 396 faqe, Boston 1952, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ky libër përmban himne dhe lexime të kreshmëve, Pashkëve dhe rushajave.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Fan Noli, Vepra II, Dudaj, Tiranë 2003, faqe 304-306.
2-Fan S. Noli, Autobiografia, Tiranë 1994, faqe 72-80.
3-Imzot Theofan Noli, Uratore e Kishës Orthodhokse, E botoj Peshkopata e Amerikës, Boston Mass 1941.
4-Imzot Theofan Noli, Kremtore e Kishës Orthodhokse, E botoj Peshkopata e Amerikës, Boston Mass 1947.
5-Imzot Theofan Noli, Triodi dhe Pesëdhjetorja, E botoj Peshkopata e Amerikës, Boston Mass 1952.
6-Imzot Theofan Noli, Lutjesorja, Kosherja Orthodhokse, Selanik 1997.