FLAMURI LUFTARAK
✤ Simbol i nderit, i trimërisë dhe i lavdisë ushtarake, që i kujton çdo ushtaraku detyrën e shenjtë për mbrojtjen e RPS të Shqipërisë. F.L. si shenjë dalluese njihet që në ushtrinë ilire. Në ushtrinë shqiptare të komanduar nga Skënderbeu si F.L. njihet ai i principatës arbërore të Kastriotëve, që është një pëlhurë e kuqe me një shqiponjë dykrenore në mes. Ai u bë edhe flamuri kombëtar i popullit tonë.
Ky flamur ishte simbol i luftërave për liri të çetave atdhetare dhe të kryengritësve shqiptarë. Çetat, batalionet dhe më vonë brigadat partizane të UNÇSH kishin flamurin e tyre luftarak, para të cilit betoheshin se do të luftonin me besnikëri deri në arritjen e fitores përfundimtare mbi pushtuesit e huaj (Jhe tradhtarët e vendit. Pas Çlirimit F.L. u dorëzohet njësive e institucioneve ushtarake me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor sapo formohen. F.L. është një flamur kombëtar që ka të shkruar emrin e njësisë e të institucionit dhe titujt e urdhrat me të cilat janë dekoruar ato. Në Flotën Luftarake Detare F.L. është një pëlhurë e bardhë me një shirit të kuq në fund, me shqiponjën e zezë dykrenore në mes dhe mbi të ylli i kuq me pesë cepa. F.L. ruhet me vigjilencë dhe me trimëri.
(P.R.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Flamuri Luftarak