FOLKLORI DRAMATIK


FOLKLORI DRAMATIK
✤ Shfaqjet argëtuese-edukative gjatë kuvendeve e festave popullore; si pjesët e vogla gazmore, monologët e dialogët, tregimet popullore të dramatizuara e të luajtura si në skenë, disa lojëra, lojëra me kukulla,’ karnavalet e shfaqje të tjera popullore. Elemente dramatike në to janë: monologu, dialogu, gjesti, intonacioni, mimika, pantomima. F.D. nuk paraqitet me atë pasuri e gjerësi që kanë fushat e tjera të folklorit shqiptar, por edhe filloi të mblidhej mjaft vonë, kur përfaqësonte veçse mbeturina të spektaklit të Iashtë, të lidhur me praktikat ritualistike. Temat merren nga fusha të ndryshme të jetës. Kështu, Shërbëtori dhe agai vë në lojë again e egër, kurse Piaku i dasmës qesëndis martesat e papërshtatshme. Krijimet e F.D. janë tipike sinkretike dhe me elemente improvizimi. Në shumicën e rasteve bashkohen disa elemente, madje edhe kënga, edhe vallja. Te Loja e kapuçave, p.sh. që praktikohet në Shqipërinë Veriore dhe në Kosovë, veç lojës, në fund pala fituese, duke kërcyer e kënduar bën hoka me «kundërshtarët». Skenat gazmore, loja e «aktorëve», kënga e vallja bënin pjesë edhe te karnavalet, që organizoheshin zakonisht për Vit të Ri, te shrregullat (Shkodër), te hajet (shilarëset) e ditës së verës (gratë e Shpatit të Elbasanit). Problematika shoqërore e F.D. jepej me humor të këndshëm dhe mungonte një ndarje e prerë midis aktorëve e spektatorëve. Mjaft krijime të tilla janë përdorur gjatë Luftës ANÇ në teatrin partizan. Sot me zhvillimin e teatrit e të kinematografisë, me përhapjen e televizionit e të radios F.D. nuk luan më rolin e dikurshëm, por mjaft krijime të tilla përdoren akoma me ëndje nga populli.

(J.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Folklori Dramatik


[cite]