FORMULA E PAGËZIMIT


FORMULA E PAGËZIMIT
✤ (1482). Dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip, që njohim gjer më sot. Është një fjali e vogël shqip në mes të një shkrimi latinisht, një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut. Kjo fjali shqip jep një formulë që duhej të përdornin familjet për të pagëzuar fëmijët e tyre të porsalindur. Formula vijoi të përdorej edhe më pas, siç dëshmohet në veprën e Buzukut (1555).

Kjo dëshmi tregon se shkrimi i shqipes ka pasur një traditë më të vjetër e të vijueshme dhe se në kohën e Skënderbeut shqipja shkruhej me shkronja latine. Vërehet një afri edhe në vlerat e përdorimit në shqip të disa shkronjave të alfabetit latin, ndërmjet këtij teksti të shkurtër dhe veprës së Buzukut. «Formula e pagëzimit» u gjet në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij (1915).

(M.D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Formula E Pagëzimit


[cite]