FRAKULLA NEZIM


FRAKULLA NEZIM
✤ (1885-1760). Një nga poetët më të shquar të rrymës së bejtexhinjve. Ishte nga Frakulla e Fierit, u quajt dhe Nezim Berati, sepse një pjesë të jetës e kaloi në Berat, ku kreu edhe medresenë. Për të plotësuar studimet më tej shkoi në Stamboll dhe atje ndenji shumë kohë. Në këtë kohë nisi të shkruajë vjersha turqisht, të cilat i mblodhi në një divan. Rreth vitit 1731 u kthye në Berat dhe nisi të hartojë vjersha shqip në frymën e poezisë orientale. Pas disa vitesh shkoi prapë në Stamboll; gjatë qëndrimit këtu, për shkaqe të paqarta mirë, u internua në Besarabi dhe, pas lirimit u kthye sërish në Shqipëri. Në fillim qëndroi në Elbasan, pastaj u vendos në Berat, por këtu nuk e lanë të qetë. Internohet në Stamboll dhe vdes në burg.

N.F. është themeluesi i një rryme të re letrare; vetë ai shpallte me krenari se ishte i pari që nisi të vjershërojë shqip dhe këtë e njihte si meritë të madhe. Ka lënë shqip një divan dhe disa vjersha të shpërndara, në të cilat iu resht skemave dhe konvencioneve poetike tradicionale, karakteristike për poezinë orientale dhe futi elemente të reja në brendi. N.F. kishte një mendim të lartë për misionin e poetit në shoqëri. Në një varg krijimesh i këndoi dashurisë për vendin, miqësisë së sinqertë, ngriti lart diturinë dhe punën, goditi të metat e njerëzve, si hipokrizinë, mburrjen e kotë me fisin dhe pasurinë etj. Në ndonjë vjershë («Ankimi për gjendjen e kohës») gjeti pasqyrim një jetë e trazuar dhe e pasigurt, ku nuk çmohen virtytet njerëzore. Disa vjersha të N.F. i kushtohen natyrës, ku, gjithashtu, shfaqi ndjeshmëri poetike, lirizëm dhe mjeshtëri teknike.

(Sh.Ç.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Frakulla Nezim


[cite]