Frankët

Frankët kanë qenë popuj barbarë, të cilët e njohën krishterimin që prej fillimit në doktrinën ortodokse. Popullsia franke ishte pagane, por megjithatë krishterimi kishte mundur të depërtonte në disa treva të lumit Rin. Krishterimi në masë i frankëve u bë prej mbretit të tyre Klovis (481-511). Ky i fundit ishte pagan, por u njoh me krishterimin nga martesa me Klotildën, e cila ishte ortodokse nga fisi gjerman i burgundëve. Grigori i Turunit në veprën e tij “Historiae francorum”, tregon se mbreti Klovis përpara një beteje kundër alemanëve në vitin 496 premtoi se po të fitonte do të bëhej i krishterë. Përpara betejës Klovis kërkoi ndihmën e Krishtit dhe doli fitimtar. Menjëherë u pagëzua tek episkopi i Reimsit në ditën e Krishtlindjeve të vitit 496 duke marrë emrin Kostandin. Shembullin e tij e pasuan 3000 ushtarë dhe fisnikë, të cilët u pagëzuan gjatë një ceremonie madhështore. Me mbështetjen e popullsisë së krishterë Klovis i shtriu zotërimet e tij pothuajse në të gjithë Francën. Në vitin 507 Klovis, pasi bëri një marrëveshje me burgundët, filloi luftën kundër vizigotëve, duke i mundur ata në betejën e Vonillës, ku mbeti i vrarë mbreti i tyre Alariku II. Zotërimet e frankëve shtriheshin nga Tuluzi e deri në Akitania dhe Klovis u njoh zyrtarisht si mbret i frankëve nga Perandori i Bizantit, Anastasi (491-518). Ai e vendosi rezidencën në Paris. Klovis ndërroi jetë në moshën 45- vjeçare.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Andrea Llukani, Si e përqafuan krishterimin frankët, Ngjallja, korrik 2000, faqe 4.

Besimi — Ortodoks

[cite]