FRUTHI
✤ (Morbilli). Sëmundje shumë ngjitëse që shkaktohet nga një virus e që prek kryesisht moshat e reja, sidomos fëmijët. Karakterizohet me shfaqjen e puçrrave të vogla ose njollave të kuqe në lëkurë. Shoqërohet me temperaturë të lartë e me mahisje të qepallave, të qiellzës e rrugëve të frymëmarrjes. Ndërlikimet e shpeshta të kësaj sëmundjeje janë bronkitet dhe bronkopneumonitë. Virusi i F. në fazën katarale të sëmundjes është i pranishëm në sekrecionet e hundës e të fytit, transmetohet me anën e ajrit e të spërklave. Para Çlirimit epidemitë e F. në Shqipëri ishin të shpeshta dhe vdekjet e fëmijëve nga ndërlikimet e sëmundjes të shumta për mungesë të shërbimit mjekësor. Një epidemi e fruthit pas Çlirimit u shfaq më 1948 dhe një tjetër që preku një numër të madh fëmijësh e mosha të reja në v.1954-1955, por pa dëme të rëndësishme në saje të një shërbimi shëndetësor shumë të organizuar. Epidemia e fundit e F. u shfaq më 1970-1971. Në fundin e këtij viti u bë vaksinimi i gjithë fëmijëve dhe çdo vit në vendin tonë vaksinohet kontigjenti i ri i fëmijëve me vaksinat e prodhuara nga Instituti i Higjienës dhe ‘i Epidemiologjisë (shih). F. konsiderohet tashmë i zhdukur në vendin tonë.
(Af.Gu.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Fruthi
[cite]