FSHATI
✤ Qendër e vogël banimi, që ka emrin e saj dhe një hapësirë të caktuar tokësore, brenda së cilës jeton një numër shtetasish, që merren kryesisht me bujqësi ose me blegtori. F. është njësia e hallkës më të ulët të ndarjes tokësore administrative të vendit tonë (neni 7 i ligjit «Mbi këshillat popullorë»). Si njësi e ndarjes administrative F. caktohet me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Organe kryesore të pushtetit e të administratës shtetërore në F. janë: këshilli popullor dhe komiteti ekzekutiv. Në F. e vogla mund të mos ketë kom. ekz., në këtë rast veprimtaria administrative ushtrohet nga k.p. si tërësi (neni 28, VI i ligjit «Mbi këshillat popullorë»). Shih edhe: vendbanimet.

(Z.B.)

✤ Fshat në rrethin e Kukësit (J) nga e djathta e luginës së përroit të Bushtricës (dega e djathtë e lumit Drini i Zi). Qendër e fshatit të bashkuar që përfshin edhe fshatrat: Buzëmadhe, Çaja dhe Shkinaku, popullsia gjithsej 3237 banorë. Dëshmohet si vendbanim që në mesjetë. Kolektivizimi i bujqësisë u bë më 1967. F. është qendër e koop. së bashkuar «Gryka e Çajës», formuar më 1968. Ka drejtim kryesor blegtorinë. F. ka shkollë të mesme bujqësore, shtëpi kulture, qendër shëndetësore, ambulancë, njësi tregtare e komunale.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Fshati


[cite]