FUSHË-STUDA


FUSHË-STUDA
✤ Fushë në skajin më jugor të rrethit të Dibrës, në lartësinë 1124 m (Zabzuni i Studës), me sipërfaqe 150 ha. Shtrihet në anën më JP të malësisë së Gollobordës (shih), midis malit të Gurit (1825) e Lunikut në P e JP dhe atij të Yngjerit (1528 m), Letmit dhe Mirakës në L e JL. Ndërtohet tërësisht prej gëlqerorësh triasikë, të cilët kanë përcaktuar edhe origjinën karstike të saj. Ka formë të pykëzuar, në pjesën më të gjerë nga VL, që vjen e ngushtohet nga JP në fillimin e luginës së Zallit të Llëngës (dega e majtë e përroit të Lunikut). Këtu kalon rruga automobilistike që lidh rrethin e Librazhdit me Dibrën (nga Klenja) dhe, nëpërmjet qafës së Studës me Tiranën (nga Biza). Brezi i ahut është i dendur në shpatin JL të saj (malin e Letmit), kurse shpati VP ka bimësi të rrallë. F.S. ka kullota të mira verore,.

(Gj.G.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Fushë-Studa


[cite]