GADISHULLI I KSAMILIT


GADISHULLI I KSAMILIT
✤ Gadishull shkëmbor në JP të Sarandës që shtrihet midis detit Jon në P, liqenit të Butrintit në L dhe kanalit të Butrintit në J. Në V një istëm shumë i i ngushtë (350 m) e lidh me Sarandën. Ka shtrirje nga V në J 8 km dhe gjerësi (nga L në P) nga 350 m në V në afër 5 km në J, si dhe sipërfaqe të përgjithshme rreth 15 km2. Vija bregdetare është e thyer, e lartë dhe shkëmbore, me bukuri natyrore Gjiri kryesor është ai i Ksamilit, në të cilin gjenden katër ishuj (shih Ishujt e Ksamilit). Në skajin JP gjendet liqeni i Kripur i Alinurës (1.2 km2), i cili hyn 2.2 km në brendësi të tokës dhe është një ‘lagunë e veçuar nga deti me një rrip ranor e krijuar nga prurjet e ngurta të lumit Pavlla që derdhet pak më në J. G. i K. është i ndërtuar nga shkëmbinj gëlqerorë të kretakut, me zhvillim të madh të proceseve karstike. Relievi është kodrinor me pjerrësi nga P, ku formohen edhe pjesë të ulëta e të sheshta. Lartësitë luhaten nga 187.6 m (V), në 144 m (JP) dhe 234 m (kodra e Sotirës në JL). Në skajin JL, në një kep të vogël ndodhen rrënojat e qytetit të lashtë të Butrintit (shih), midis një pylli subtropikal shumë të dendur.

Natyra e G. të K. gjatë 10-15 vjetëve të fundit është shndërruar krejtësisht. U shpyllëzuan disa qindra ha tokë nga shkurret e degraduara dhe në truall shkëmbor u hapën brezare ku janë mbjellë mijëra rrënjë agrume e ullinj, që ujiten me ujin e Bistricës, i cili merret me elektropompa. Në bregun e detit, përballë ishujve të Ksamilit, është ngritur qyteza e re e Ksamilit (shih) me banorë të ardhur nga e gjithë .Shqipëria, kryesisht të rinj aksionistë.

(Me.K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gadishulli I Ksamilit


[cite]