GDHENDJA E GURIT


GDHENDJA E GURIT
✤ Mjeshtëria e punimit të gurit. Në truallin e Shqipërisë ka një traditë të lashtë, që dëshmohet gjerësisht nga gjetjet arkeologjike dhe ndërtimet e periudhës ilire. Guri është përdorur nga banorët e shumicës së krahinave të Shqipërisë jo vetëm për ndërtimin e banesave, por edhe për sende të përdorimit të përditshëm si mokra, havane etj. Në disa qytete e fshatra e kanë përdorur gurin e skalitur për shtrimin e rrugëve, si Gjirokastra, Kolonja, Berati etj. Mjeshtrit shqiptarë gurskalitës janë shquar edhe jashtë vendit si ndërtues dhe si mjeshtër për gdhendjen e gurëve të portave, të qosheve, të dritareve, të oxhaqeve, të grykave të puseve, të çezmave, të krojeve, etj. Sidomos në oxhaqet janë arritur vlera artistike, duke shkrirë elementë të ndryshëm dekorativë si rrathë, rozeta, motivin e diellit, figura mitologjike etj. G. e G. kulmin e lulëzimit e pati në gjysmën e dytë të shek.XVIII e në shek.XIX. Krahinat më të përmendura për ushtrimin e saj ishin: Mokra, Opari, disa krahina të Matit e të Dibrës etj. Pas Çlirimit kjo mjeshtëri është përtërirë në punimet për qytetet-muze, u është përshtatur kërkesave të reja për ndërtim dhe të arkitekturës (si p.sh. për Muzeun e Skënderbeut në Krujë) dhe zhvillohet si art e lidhur me skulpturën dhe prodhimet artistike.

(A.O.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gdhendja E Gurit


[cite]