GENTI
✤ Mbret ilir, i biri i Pleuratit. Sundoi më 181-168p.e.r. në periudhën e acarimit më të madh të kontradiktave midis shteteve të Ballkanit dhe Romës, që e intensifikoi politikën e saj agresive. Në këto rrethana G. bëri përpjekje për forcimin ekonomik e politik të mbretërisë. Në politikën e brendshme mori masa për asgjësimin e kundërshtarëve politikë proromakë, pa kursyer as të vëllanë, Platorin. Grumbulloi forea ushtarake, tokësore e detare të mëdha. Fuqizoi arkën e shtetit dhe preu monedha bronzi me emrin e vet. Në politikën e jashtme u lidh me foreat antiromake në Ballkan, bëri aleanca me mbretërinë dardane dhe Perseun e Maqedonisë. I sulmuar nga Roma më 168, i priti forcat pushtuese në afërsi të qytetit Basania, diku në J të Lisit dhe qëndresën e fundit e bëri pa sukses në kryeqendrën e mbretërisë, në Shkodër. Bashkë me familjen, me robërit dhe me plaçkë të madhe lufte u dërgua në Romë. Romakët kapën dhe 220 anije të tij. G. vdiq në robëri në qytetin Iguv të Italisë.

(Sh.Gj.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Genti


[cite]