Gjendja politike në Ballkan e në Iliri pas vitit 196.
Ardhja në fuqi e Gentit dhe gjallërimi i forcave antiromake në Iliri
Pasi fitoi luftën e dytë me Maqedoninë, Roma u kujdes të forconte pozitat e saj në Greqi dhe të zinte këtu vendin e Maqedonisë. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi me mjeshtëri kontradiktat që ekzistonin midis shteteve greke; duke përkrahur Lidhjen e Ahesë asgjësoi lëvizjen e Nabisit në Spartë, më pas u dha fund pretendimeve të Lidhjes Etole për hegjemoni në Greqi dhe njëherësh me këtë u preu rrugën synimeve të Antiohut të Sirisë mbi këtë vend.
Në këto ngjarje Mbretëria e dobët Ilire, e varur dhe e lidhur me detyrime ndaj Romës, veproi si aleate e saj. Pleurati qe detyruar të dërgonte flotën e tij kundër brigjeve të Greqisë dhe të ndihmonte me këtë për fitoren romake mbi etolët në vitin 189.
Edhe Filipi V mori anën e romakëve. Ai i ndihmoi ata kundër Nabisit dhe pastaj edhe në luftën kundër etolëve dhe Antiohut. Duke u përzier në këtë luftë Filipi shpresonte të përmirësonte pozitat e tij dhe u mundua t’i kthejë Maqedonisë një pjesë të tokave të humbura, por romakët e detyruan të tërhiqej në kufijtë e vitit 196, duke i dhënë të kuptonte se nuk kishin ndërmend të ndanin me të pozitat e tyre në Greqi.
Interesat e Maqedonisë u ndeshën përsëri me politikën agresive të Romës. Filloi një periudhë e re marrëdhëniesh të acaruara, që çuan dalëngadalë në konfliktin e fundit të armatosur midis tyre. Përgatitjet për luftë gëlltitën për shumë vite me radhë burimet më të rëndësishme ekonomike dhe ngritën në këmbë forca ushtarake që nuk kishte njohur më parë historia e luftërave të këtyre dy vendeve. Me luftën e ashpër politike për të bërë aleatë dhe përkrahës ato e shtrinë konfliktin mbi një zonë të gjerë të Ballkanit dhe të Lindjes. Shtetet e kësaj zone dhe shtresat e ndryshme shoqërore u tërhoqën në konflikt sipas interesave të tyre politike dhe ekonomike.
Historia e shtetit ilir në këtë kohë është e lidhur ngushtë me përpjekjet që bëhen në Maqedoni dhe në Ballkan për të përballuar rrezikun e ri romak. Gjendja që u krijua pas luftës kundër etolëve dhe Antiohut dhe ngjarjet e lidhura me marrëdhëniet midis Maqedonisë e Romës gjetën një vlerësim të ri në Iliri. Politika agresive e Romës që synonte tani asgjësimin e plotë të shtetit maqedon nuk mund të pritej mirë nga shtetet e vogla të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe shtetin e dobësuar ilir. Gjendja e ekuilibruar që ishte krijuar nga prania përballë njëra-tjetrës në Gadishull e forcës maqedone dhe asaj romake, ishte i vetmi faktor që kishte siguruar, në një mënyrë ose në një tjetër, mbijetesën e këtyre shteteve. Prishja e kësaj gjendjeje nuk ishte në interesin e tyre. Duke vlerësuar drejt këtë rrezik u gjallëruan dhe u aktivizuan forcat antiromake në Iliri. Si pasojë, në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit vihet re një kthesë në marrëdhëniet e mbretit ilir me Romën, që u shpreh në afrimin e tij me Maqedoninë. Të dhënat numizmatike dëshmojnë për vendosjen e lidhjeve të ngushta ekonomike dhe politike midis shtetit ilir dhe Maqedonisë. Edhe prania e trupave ilire në përbërjen e garnizonit të Kasandresë që provohet nga Livi dhe që sipas fjalëve të tij “i pat dërguar prej kohësh Pleurati”, vërteton këtë mendim.
Senati reagoi me forcë të madhe kundrejt qëndrimit të ri ilir, veçanërisht pas ardhjes në fuqi të Gentit, i cili pasoi Pleuratin në vitin 181. Politika romake u drejtua kundër mbretit të ri me tërë ashpërsinë e saj. Ai u akuzua si nxitës për rifillimin e piraterisë nga ana e ilirëve dhe për trajtimin e keq që po u bëhej gjoja aleatëve të Romës dhe qytetarëve romakë në Korkyra Nigra. Me këtë pretekst senati caktoi në vitin 178 një flotë të posaçme prej 10 anijesh, e cila do të vepronte në Adriatik për të ruajtur nga flota ilire ujërat midis Ankonës dhe Tarantos.
Brenda vendit mbreti u vu, jo pa nxitjen e Romës, përpara vështirësive edhe më serioze. Kundër tij u ngritën dalmatët, të cilët u shkëputën nga mbretëria. Përpjekje të tilla u bënë edhe nga krerë të fiseve të tjera. Gentit iu desh të bënte një luftë të ashpër kundër aristokracisë së lartë me tendenca proromake, e cila kishte përkrahës edhe në oborrin mbretëror. Në këtë luftë ai nuk u ndal as përpara sakrifikimit të vëllait, Platorit, që Roma synonte ta vinte në fron në vend të tij.