Përpjekjet për forcimin ekonomik e politik të Mbretërisë
Kërcënimi i ri romak diktonte nevojën e përgatitjeve për t’i dalë përpara një konflikti të hapur, i cili siç tregojnë ngjarjet, ishte i pashmangshëm. Duke e kuptuar qartë këtë detyrë, Genti i kushtoi gjithë vëmendjen e tij forcimit ekonomik dhe politik të mbretërisë. Midis masave me karakter ekonomik ajo që na dëshmohet më mirë nga burimet është veprimtaria e dendur monedhaprerëse që zhvilloi Genti. Krahas Skodrës dhe Lisit mbreti u njohu të drejtën e prerjes së monedhave edhe dy qyteteve të tjera të mëdha, Rizonit dhe Lyhnidit, si dhe dy fiseve të rëndësishme Labeatëve e Daorsëve. Kjo zgjeroi shumë qarkullimin monetar dhe e shtriu atë në viset më të thella të mbretërisë. Rëndësi të veçantë patën përpjekjet e Gentit për vendosjen e një sistemi të përbashkët monetar në mbretërinë e tij. Për këtë qëllim ai ndërpreu prerjet e vjetra të punishtes së Skodrës dhe në vend të tyre hodhi në treg monedha të reja. Tani monedha kryesore e Skodrës në vend të Zeusit, mban në faqe portretin e mbretit, kurse në shpinë, duke ruajtur si simbol anijen ilire, vendin e legjendës së qytetit e zë titulli dhe emri i mbretit.
Monedhën me mburojë përkrenare që u fut në sistemin monetar të Skodrës qysh prej kohës së Pleuratit, Genti vazhdoi ta presë, por edhe kësaj i hoqi legjendën e vjetër dhe në vend të saj vuri titullin dhe emrin e vet. Kjo tregonte se Genti i kishte hequr Skodrës autonominë monetare dhe punishten e bashkësisë qytetare e ktheu në punishte mbretërore.
Ndryshe prej Skodrës mbreti u njohu Lisit, Labeatëve dhe Daorsëve të drejtën që monedhat e tyre t’i siglojë me emrin e bashkësisë qytetare apo fisnore , por edhe këta i detyroi të respektojnë standardin shtetëror: të pajisin monedhat e tyre me portretin e mbretit dhe anijet ilire, si dhe t’u japin të njëjtën masë e peshë që kishin monedhat e prera në punishten mbretërore të Skodrës.
Më vonë mbreti shtiu në dorë edhe punishten monetare të Lisit dhe i ndaloi qytetit prerjen e monedhave autonome; që nga kjo kohë ai krijoi për Skodrën, Lisin dhe krahinat qendrore të mbretërisë, një sistem monetar të përbashkët të përbërë nga tri monedha: dy prej tyre ishin monedhat e njohura që priteshin në punishten mbretërore të Skodrës; njëra me portretin e mbretit – anijen ilire, dhe tjetra me mburojë – përkrenare. Monedha e tretë ishte monedha e vjetër, e vogël e Lisit, e cila paskëtaj do të siglohej me titullin dhe emrin e mbretit. Në sistemin e ri monedha e parë përfaqësonte nominalin, kurse dy të tjerat nëndarjet e tij.
Sistemi monetar që vendosi Genti në zonën qendrore nuk u shtri edhe në qytetet periferike të mbretërisë. Monedhat prej argjendi të Rizonit me mburojë – pegas dhe ato prej bronzi të Lyhnidit me mburojë gjysmë anije, të prera në emër të bashkësisë qytetare dëshmojnë për një farë autonomie në marrëdhëniet ekonomike të këtyre qyteteve me mbretërinë.
Gjatë sundimit të Gentit, Skodra, Lisi dhe qytete të tjera të mbretërisë fituan një gjallëri të madhe ekonomike. Rrezja e qarkullimit të monedhave të prera në emër të mbretit apo të qyteteve e të fiseve në punishtet e Skodrës, Lisit, Rizonit, Lyhnidit etj., u shtrinë në skajet më të thella të Mbretërisë Ilire dhe në disa raste edhe përtej kufijve të saj. Në jug monedhat e Gentit zbresin deri në Dyrrah e Apoloni. Vetë prerjet e daorsëve dhe të labeatëve si dhe monedhat e gjetura në Mat, Peshkopi, Malësi e Madhe dhe në krahinat e thella të Malit të Zi, tregojnë se qarkullimi monetar kishte depërtuar dhe në krahinat e brendshme malore.
Politika e ndjekur prej Gentit në fushën e prerjeve monetare mund të konsiderohet një reformë e vërtetë, që i lejoi mbretit të përqendrojë në duart e tij mjete të fuqishme financiare. Dëshmi e qartë e kësaj është përmbajtja e thesarit mbretëror që u kap nga romakët. Livi na thotë se në arkën e mbretit u gjetën 27 ponde ari, 19 ponde argjendi, 13 000 denarë dhe 120 000 monedha ilire argjendi. Kjo ishte një shumë e madhe që mbreti e kishte grumbulluar nga të ardhurat e pronarëve mbretërorë dhe taksat e rënda që u kishte vënë nënshtetasve.
Dendësimi i prerjeve monetare dhe përpjekja për të përqendruar në arkën shtetërore sa më shumë mjete financiare diktohej në radhë të parë nga gjendja ndërkombëtare. Rreziku romak sa vinte bëhej më i qartë dhe mbreti duhej të shtonte përpjekjet e tij për forcimin e ushtrisë dhe të flotës. Fakti që në kohën e shpërthimit të konfliktit efektivi i ushtrisë ilire numëronte 15 000 veta, me të cilët Genti u drejtua kundër romakëve (pa llogaritur këtu garnizonet e veçanta të qyteteve) dhe fakti që flota ilire numëronte ende në fund të luftës 220 anije, tregon se sundimtari ilir e kishte vlerësuar drejt këtë rrezik dhe u kishte kushtuar gjithë vëmendjen përgatitjeve për ta përballuar atë.
Ato elemente të organizimit shtetëror që në burimet e periudhës së sundimit të Agronit apo të pasardhësve të tij dolën në mënyrë sporadike, tek Genti vijnë e plotësohen dhe problemi bëhet më i qartë në tërësinë e tij.
Në kohën e Gentit, edhe pse e cunguar, Mbretëria Ilire shtrihej ende në një territor mjaft të gjerë dhe përfaqësonte fuqinë e dytë pas Maqedonisë, në pjesën perëndimore dhe jugore të Gadishullit. Pasi i dhanë Pleuratit Parthen dhe Lyhnidin, romakët i njohën Mbretërisë Ilire si kufi jugor Genusin; në lindje ajo përfshinte edhe tokat e Penestisë, kurse në veri pas shkëputjes së dalmatëve nuk shtrihej më tej se krahina rreth gjirit të Rizonit.
Kryeqytet i mbretërisë ishte Skodra. Njësitë administrative të saj duket se përputheshin me territorin rreth qyteteve. Ato kishin si qendër një qytet të rëndësishëm dhe rreth tij një varg kështjellash, të cilat mbronin kryeqendrën dhe gjithë krahinën. Një njësi të tillë formonte Rizoni me kështjellat e vogla rreth këtij gjiri. Që nga koha që Skodra u bë kryeqytet i mbretërisë duket se qendra e Labeatëve kaloi në Meteon. Në jug, si shembull mund të sillet krahina e penestëve, për të cilën burimet lejojnë të nënkuptohet se formonte një tërësi të tillë. Uskana, qyteti më i madh i penestëve, ishte kryeqendra e krahinës, kurse kështjellat që përmenden rreth saj ishin, me sa duket, qendra me funksione më të ngushta administrative e mbrojtëse.
Burimet nuk sjellin të dhënat e nevojshme për të përcaktuar sa njësi të tilla kishte mbretëria, megjithatë, duhet menduar se atje ku kemi një qytet të rëndësishëm, rreth tij kemi dhe një krahinë që formonte një njësi administrative të mbretërisë. Nuk mund të kërkohet kjo për krahinat e thella malore ku jeta qytetare nuk u zhvillua. Rolin e qendrave kanë mundur ta luajnë këtu vetëm fortesat e vogla që shërbenin si seli e aristokracisë së fiseve.
E mbështetur në ekonominë e përparuar skllavopronare të qyteteve Mbretëria Ilire e Gentit paraqitet me tipare të qarta të një monarkie të tipit helenistik. Pushteti më i lartë ishte në duart e mbretit. Ashtu si dhe parardhësit e tij ai mbante titullin “mbret i ilirëve” dhe sundonte si një mbret romak dhe nuk njihej në burimet ndonjë organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij. Anëtarë të veçantë të familjes mbretërore zinin detyra me përgjegjësi në punët e shtetit, por rolin më të rëndësishëm në jetën politike e luanin “miqtë” e mbretit. Ata ishin bashkëpunëtorët më të afërt e më të besuar të tij. Këtë institucion, që ishte tipik helenistik e ndeshim në Mbretërinë Ilire për herë të parë gjatë sundimit të Teutës; “miqve” ajo u besoi drejtimin e punëve të shtetit. Në kohën e Gentit “miqtë” e mbretit luanin një rol të dukshëm në qeverisjen e vendit dhe ngarkoheshin me misione të rëndësishme diplomatike.
Mbreti ishte kryekomandant i forcave të armatosura tokësore dhe detare. Veprimet ushtarake i drejtonte vetë ose ua besonte komandantëve të veçantë. Bërthamën kryesore të ushtrisë që ishte mbështetja kryesore e pushtetit mbretëror e përbënin kontingjentet e rregullta, të cilat sipas rastit qëndronin si garnizone në qytete ose përqendroheshin për të ndërmarrë një ekspeditë apo për të përballuar luftimet në një front të caktuar. Burimet nuk bëjnë fjalë për forca ndihmëse në përbërjen e ushtrisë ilire, por nuk duhet përjashtuar mundësia që fiset malore të kenë ushqyer ushtrinë mbretërore me forca të tilla, sa herë që i thërriste mbreti, duke qenë të komanduara nga krerët e tyre.
Njësi e flotës ilire është lembi, një anije e vogël, por e shpejtë dhe e manovrueshme. Çdo lemb, përveç rremtarëve, kishte edhe 50 luftëtarë që përbënin njësinë bazë të forcave ushtarake detare dhe mbase edhe tokësore ilire.
Mbreti kishte nën kontroll punishtet monetare dhe autorizonte prerjen e monedhave në emër të vet ose të bashkësisë qytetare e fisnore. Një aparat fiskal vilte taksat me të cilat Genti kishte ngarkuar shtetasit; kurse burgjet dhe nënkuptohet, një aparat dhune garantonin rendin e vendosur nga shtresa sunduese dhe përfaqësuesi i saj më i lartë, mbreti.
Në marrëdhëniet me botën e jashtme shtetin e përfaqësonte gjithashtu mbreti; ai shpallte luftën dhe përfundonte paqen, lidhte aleanca, zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta ose përmes përfaqësuesve caktonte pengje për të garantuar një marrëveshje, merrte hua etj.
Administrimi i qyteteve dhe i krahinës që lidhej me to u besohej dinastëve, të cilët mbreti mund t’i zëvendësonte. Në zonën qendrore të mbretërisë Genti arriti ta kufizonte shumë autonominë e qyteteve dhe ta dobësonte autoritetin e dinastëve lokalë, të cilët në burimet njihen ndryshe dhe si “principa illyriorum”.
Siç shihet, në këtë periudhë shteti ilir paraqitet me një strukturë të gjithanshme dhe me organe administrative që ishin ngarkuar me funksione të ndryshme në veprimtaritë për forcimin e pushtetit qendror dhe konsolidimin e shtetit. Reforma monetare ishte një shprehje e qartë e kësaj politike. Kontradiktat në plan ndërkombëtar që mplekseshin me ato sociale, të brendshme, e diktonin një politikë të tillë. Genti e përçoi këtë pa ngurrim dhe me rezultat në zonën qendrore të mbretërisë.