GJEOLOGJIA E NAFTËS
✤ Degë e gieoiogjisë që merret me studimin e prejardhjes, të migrimit, të grumbullimdt, të formimit të shtratimeve, dhe të kërkimit të naftës e të gazit në thellësi të tokës. Ajo përdor të dhënat e mjaft shkencave të tjera gjeologjike e kufitare me to.
Njoftimet e para mbi praninë e naftës dhe të gazit në truallin e Shqipërisë janë dhënë që në kohë të lashta. Nga dijetarë, natyralistë, filozofë dhe gjeografë të kohës së vjetër, ndërmjet të tjerash përmendet edhe vendi i quajtur «Nymphaeum», me sa duket flitet për Selenicën e sotme, ku sipas Strabonit ishte një shkëmb që lëshonte përpjetë zjarr.
Studimet e para dhe të shkëputura për këtë fushë janë kryer nga mesi i shek. të kaluar nga natyralistë. të huaj. Punimet e para të kërkimit për naftën dhe gazin që u kryen në çerekun e parë të shek. XX, shtuan interesimin e shteteve imperialiste për këto pasuri të nëntokës sonë. Ato morën koncesione nga qeveria reaksionare e A. Zogut (shih:Industria e naftës).
Gj. e N. në Shqipëri u zhvillua me ritme të shpejta pas Çlirimit. U zgjeruan kërkimei e naftës e të gazit në radhë të parë rreth rajoneve të njohura dhe vendburimeve ekzistuese, duke kaluar hap pas hapi edhe në rajonet e reja. Janë kryer e vazhdojnë të kryhen edhe studime krahinore për vlerësimin e perspektivës së truallit tonë për naftë e gaz, duke nxjerrë rregullsitë më kryesore të shpërndarjes së vendburimeve, rajonet më me perspektivë për naftë e gaz dhe objektet e kërkimit për to. Më 1956 u ngrit Instituti i Studimeve e Projektimeve të Naftës dhe të Gazit (shih), ndërsa gjeologë të naftës përgatiten pranë Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave të UT. Sot për kërkimet e naftës punojnë veç Institutit edhe Ndërmarrja Sizmogravimetrike me Qendrën Llogaritëse Elektronike të Naftës, Ndërmarrja e Gjeofizikës Kantierale, si edhe disa ndërmarrje të shpim-kërkimit. (F.Di.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Gjeologjia E Naftës