Gjergj Kastrioti
shqiptar ortodoks Gjergj Kastrioti (1405-1468) ka lindur në Mat në vitin 1405. Mbas disfatës që pësoi me turqit në vitin 1423, Gjon Kastrioti u detyrua t’i dërgonte Sulltanit si peng katër djemtë e tij. Gjergji në atë kohë ishte 18 vjeç, domethënë qe një djalë i rritur e kuptonte nga bota dhe nuk mund të asimilohej plotësisht në oborrin e Sulltanit. Ky i fundit i detyroi djemtë e Gjon Kastriotit të kalonin në fenë muhamedane. Madje u ndërroi edhe emrat, Gjergjin e quajti Isqender-Bej që në shqip u kthye në Skënderbe. Ky ishte një emër simbolik që iu dha Gjergjit në kujtim të Akeksandrit të Madh. Skënderbeu kaloi gati 20 vjet si peng në oborrin e sulltanit deri në vitin 1443 kur ai gjatë një ekspedite ushtarake kundër të krishterëve të Hungarisë me Janosh Huniadin në krye, u kthye në Krujë. Në atë kohë Skënderbeu ishte 38 vjeç. Menjëherë pasi mbërriti në Krujë Skënderbeu u kthye në fenë e të parëve dhe shpalli luftën e shenjtë kundër pushtuesve osmanë. Skëndebeu u pagëzua më 25 dhjetor të vitit 1443, ditën e Krishtlindjeve. Të gjithë shqiptarëve që ishin kthyer në fenë muhamedane, Skënderbeu u bëri thirrje të pranonin fenë e të parëve (kristjane). Tradita popullore thotë se në atë kohë në Krujë kishte 365 kisha. Më 26 prill të vitit 1451 u bë ceremonia e kurorëzimit të Gjergj Kastriotit tridhjetë e nëntë vjeçar me Marina Andronikën njëzetetrevjeçare. Kjo martesë u bë në manastirin e Ardenicës në kishën e Shën Triadhës dhe u celebrua nga Igumeni Feliks. Andronika ose Donika ishte e bija e Gjergj Arianitit, princit të Vlorës dhe Kaninës. Kjo martesë solli edhe pajtimin e Skënderbeut me Arianitasit, të cilët kishin marrë anën e Venedikut pas krizës së vitit 1450. Martesa shkaktoi pakënaqësinë e katër djemve të Arianitit si dhe të Hamza Kastrotit. Ky i fundit ishte i biri i Reposhit, që ishte martuar me grua turke. Më vonë Reposhi është bërë murg me sa duket për të vuajtur gabimet ose se nuk ishte i aftë për t‘u bërë udhëheqës. Në vitin 1456 Skëndërbeu u bë me djalë, të cilit ia vuri emrin Gjon. Kjo lindje nuk u prit mirë nga Hamzai, që ishte gjenerali më i mirë i ushtrisë së Skënderbeut. Ai duke qenë i bindur se nuk do të trashëgonte kurrë fronin shqiptar, dezertoi tek turqit. Gjatë viteve 1457-1460 u shënuan njëra pas tjetrës gjashtë fitore të shkëlqyera të Skëndebeut kundër ushtrive pushtuese osmane. Pas kësaj Mehmet Pushtuesi kërkoi armpushim trevjeçar, që u nënshkrua më 27 prill 1461. Në të Sulltani e njohu Skënderbeun si Mbret të Shqipërisë. Kjo paqe, e deklaruar për herë të parë pas 18 vjet lufte të pandërprerë, i dha mundësinë shqiptarëve për të nisur jetën e përditshme. Gjithashtu paqja i dha mundësinë Skënderbeut që t‘i përgjigjej thirrjes për ndihmë të Ferdinandit I, mbretit të Napolit. Në vjeshtën e vitit 1461, në krye të një ushtrie prej 5000 vetash, Skëndërbeu lundroi drejt Brindizit. Pas luftërave, në gusht të vitit 1452 e gjithë mbretëria iu kthye Ferdinandit. Ky i fundit në shenjë mirënjohjeje i dha Skënderbeut jo vetëm tituj nderi, por edhe toka të shumta në Italinë e Jugut për vete e për trashëgimtarët e tij. Gjithashtu Papa Kalisti III (1455-1458) emëroi Gjergj Kastriotin si kryekapedan të Selisë së Shenjtë. Ai e ka quantur “Trimi i Krishtit”, “Ushtari i Zotit” etj duke theksuar se meritat e Gjergj Kastriotit ishin më të mëdha se të të gjithë princave të krishterë. Pasardhësi i tij Papa Piu II (1464-1473) e ka bekuar Skënderbeun, duke e quajtur “Atlet të Krishtit”. Në një ceremoni të shkëlqyeshme u celebrua në Bazilikën e Shën Pjetrit më 1459, Papa Piu II i dhuroi me dorën e tij një përkrenare dhe një shpatë. Pas gjithë atyre titujsh nderi e lëvdatash, asgjë tjetër nuk ka qenë më e shtrenjtë sesa përkrenarja dhe shpata të ishin bekuar nga vetë Papa. Gjithashtu Papa i ka premtuar të organizonte një Kryqëzatë kundër turqve, duke vënë Skënderbeun si kryegjeneral të ushtrive të krishtera. Papa Piu II i ka premtuar se do të vinte vetë në Shqipëri për ta kurorëzuar Skënderbeun si mbret të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Rumelisë (emërtimi osman për Trakën dhe Rumaninë). Të dyja fuqitë e krishtera, Venediku i plotfuqishëm në det dhe Arbnia (Shqipëria) e fuqishme në tokë, kishin lidhur traktat paqeje me turqit osmanë. Mbas bisedimesh të gjata, përfaqësuesi i Papës, kryeepiskopi i Durrësit Pal Engjëlli i bindi shqiptarët që të merrnin pjesë në kryqëzatë. Kryqëzata filloi në nëntor të vitit 1463, dhe në betejën e Ohrit më 14 gusht 1464 Skënderbeu e shpartalloi Sherenet Beun me ushtritë e tij. Mbas kësaj fitoreje kryeepiskopi Pal Engjëlli u shpërblye nga Papa duke e bërë kardinal. Ndërsa Skënderbeu u përgatit të shkonte në Durrës për të pritur Papën dhe ushtarët e kryqëzatës. Mirëpo në udhëtim e sipër Papa vdiq në Ankona më 15 gusht 1464 pak kohë përpara se të hipte në anije. Bashkë me Papën vdiq edhe kryqëzata, ndonëse e gjithë Evropa e admironte Skënderbeun sepse me emrin e tij, për 25 vjet me radhë, u frymëzua lëvizja antiosmane e botës së krishterë. Për 25 vjet me radhë Skënderbeu doli fitimtar mbi turqit. Por atë që nuk e arritën dot turqit as me forcën e as me vrasës me pagesë, e bënë mushkonjat anofele të një kënete afër Lezhës. Ndërsa bënte plane për asgjësimin e katër fortesave turke të mbetura në tokën shqiptare, Skënderbeu 56 vjeçar u sëmur nga malarja. Ai vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë. Skënderbeun e varrosën në Kishën Bizantine të Shën Kollit në Lezhë.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Edvin E. Jacques, Shqiptarët, Vëll.1, Kartë e pendë, Tiranë 1995, faqe 262-268.
2-Naum Kule, Rrëfimet e Ardenicës, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 1999, faqe 31.